Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, priti gjatë ditës së sotme në një takim z. Knut Fleckenstein, Raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian.
Në fokus të takimit ishte zbatimi i reformës në drejtësi. Ministrja falenderoi z. Fleckenstein për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme të Bashkimit Europian për miratimin me sukses të reformës në drejtësi dhe i shprehu atij vendosmërinë e qeverisë për të çuar në fund zbatimin e reformës, si faktor kyç për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Si sinjal pozitiv në këtë drejtim, Ministrja Gjonaj përmendi vendimin e miratuar në mbledhjen e parë të qeverisë për kalimin në përdorim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve të mjediseve të ish lidhjes së shkrimtarëve, i cili do të pasohet së shpejti nga vendimin për sigurimin e zyrave të Kolegjit të Apelimit. Zbatimi i reformës do të vijojë me të gjithë mbështetjen e nevojshme në aspektin financiar dhe të infrastrukturës si dhe me hartimin e të gjitha akteve nënligjore për zbatimin e plotë të paketës ligjore.
Ministrja theksoi gjithashtu pranë ministrisë do të ngrihet një mekanizëm monitorimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë, të miratuar me asistencën e Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, z. Fleckenstein konfirmoi mbështetjen e tij dhe z. Kukan, si përfaqësues të Parlamentit Europian, në përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi dhe shprehu bindjen se hapja e negociatave do të përshpejtonte/ndihmonte edhe më tej këtë proces.
a.ç