Organet greke të shëndetit janë vënë në alarm pasi vala e përhapjes së fruthit në vend është më e lartë se sa shifrat zyrtare që jep Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive, e cila disa ditë më parë ka paralajmëruar se Greqia ndodhet në një fazë epidemike të sëmundjes.
Zyrtarisht nga kjo qendër janë deklaruar 150 raste të fruthit prej majit të këtij viti, 50 vetëm në dy javët e fundit, por mjekët pediatër greke vlerësojnë se ka më shumë se 300 raste në të gjithë Greqinë.
Fruthi, një infeksion viral shumë infektiv që prek kryesisht fëmijët poshtë moshës 5 vjeç, por edhe të rriturit, ishte një sëmundje pothuajse e harruar në vend, pasi nga viti 2014 deri në 2016 ishin regjistruar vetëm dy raste në të gjithë Greqinë.
Mjekët bëjnë thirrje për një mobilizim të gjithë organeve të shëndetësisë, por edhe të prindërve për të kryer vaksinimin e plotë të fëmijëve.
Një prej shkaqeve kryesore të përhapjes së kësaj sëmundje që vërehet edhe në vendet e BE-së, ku janë regjistruar mbi 14. 000 raste me fruth brenda një viti dhe 41 vdekje, është edhe e ashtuquajtura Lëvizja Sociale Kundër Vaksinimit. Numri i prindërve grekë që janë skeptikë për vaksinimin e fëmijëve të tyre është rritur në vitet e fundit me 15%.
Specialistet madje kërkojnë të merret shembull nga Italia, e cila po analizon masa të rrepta për ata prindër që kundërshtojnë kryerjen e vaksinave duke propozuar gjoba dhe heqjen e kujdestarisë për fëmijën.
Gjithashtu 50% e rasteve në Greqi vërehen te fëmijët e komunitetit rom, ndaj dhe kërkohet sensibilizimi i organeve shëndetësore në prag të stinës së dimrit, e cila ndihmon përhapjen e virusit.
a.ç