Çdo objekt i paligjshëm nga rruga do të hiqet, ka deklaruar ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri.
Ai ka bërë inspektim në mbikalimin e Shkozetit, duke folur për operacionin e pastrimit të nyjeve e akseve kombëtare.
Ministri Gjiknuri u shpreh se do të hiqen njësitë tregtare dhe tabelat e reklamave, si dhe do të zbatohet me rigorozitet përcaktimi i Kodit Rrugor.
“Në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë u bëj thirrje të gjithë atyre që me veprimet e tyre kanë cënuar disiplinën dhe sigurinë e akseve rrugore: Keni vetëm 15 ditë kohë që të bëni në mënyrë vullnetare çmontimin e çdo aktiviteti civil/ekonomik pa leje, heqjen e çdo tabele që nuk ka lidhje me sinjalistikën rrugore por e pengon atë. Në përfundim të këtij afati, strukturat përkatëse do të ndërhyjnë në të gjithë akset kombëtare. Nuk do të ketë asnjë tolerancë. Në përfundim të të gjitha fazave të operacionit, hyrje-daljet e akseve kombëtare, nyjet dhe hapësirat do të pastrohen plotësisht”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Sipas tij, operacioni do të zhvillohet në disa faza, nga pastrimi i akseve tek disiplinimi i hyrje-daljeve. /b.d