Autoriteti dhe fuqia e Sali Berishës në Partinë Demokratike për herë të parë vihet në dyshim.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili dominohet nga besnikë të Lulzim Bashës, nuk mbështet kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për t’i kërkuar prova komisionit të votimit, për zbulimin dhe ndëshkimin e tre tradhtarëve, të cilët votuan pro Gramoz Ruçit, për drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë.
Në mbledhjen e fundit të grupit të PD, Berisha kërkoi një hetim dhe administrim provash për zbulimin e tradhtarëve, të cilët sipas tij, i ngulën një thikë pas shpine Partisë Demokratike, duke votuar pro Gramoz Ruçit.
Reagimi i fortë i Sali Berishës, erdhi pas një tentative të Lulzim Bashës, për të eklipsuar rrjedhjen e votave, me pretendimin se shumica i kishte vjedhur votat në parlament.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës së Berishës, grupi parlamentar demokrat nuk ka depozituar asnjë kërkesë në Kuvend për hetimin e procesit të votimit apo administrimit të pronave, në funksion të zbulimit të tradhtarëve.
Tërheqja nga kjo çështje, me sa duket me qëllim që të harrohet, është konfirmuar nga komisioni i votimit për Shqiptarja.com.
Trupa përbërëse e komisionit tha për Shqiptarja.com se Partia Demokratike nuk ka treguar më asnjë interes, për të faktuar pretendimet e veta, për rrjedhje apo manipulim votash.
Nga ana tjetër, disa nga deputetët e Partisë Demokratike, të pyetur nga Shqiptarja.com për këtë çështje, thanë se janë të fokusuar vetëm tek veprimtaria e qeverisë ‘Rama 2’. Meqenëse procesi i votimit ishte i fshehtë, për Partinë Demokratike ka vetëm një rrugë për zbulimin e deputetëve që votuan pro Ruçit, duke thyer vendimin partisë, që është administrimi i fletëve të votimit, marrja e gjurmëve të gishtave dhe dërgimi në një laborator privat.
Gjithsesi, zhvillimet e fundit, konfirmojnë se, ndryshe nga Berisha, shumica e parlamentar të Partisë Demokratike dhe Lulzim Basha duan ta harrojnë këtë episod në fillim të kësaj legjislature, i cili ishte një goditje për pozitat e Lulzim Bashës, të kryetarit të grupit parlamentar, Edmond Spahos si dhe për listën Basha.
Qëndrimi i fundit i Berishës
Ish-kryeministri Berisha, i është rikthyer dy ditë më parë, tradhtisë në grupin parlamentar demokrat dhe debatit me deputetët Grida Duma dhe Ervin Salianji. “Një deputet tha që “unë kam bindje”, dhe unë ja besoj plotësisht.
A mund ti thuash gjë tjetrit kur thotë se unë kam bindje? Si thua dot. Unë kam bindje tha se kanë ngatërruar numrat. Dhe unë i besoj plotësisht se ai ka bindjen. Ky variant krijonte një problem. Sepse e zhvendoste çështjen nga ata që tradhtuan tek Ulsi Manja dhe komisioni. Por ne nuk mund ta zhvendosim fokusin nga ata që na tradhtuan. Replika ime ishte… meqë po pyet. Grida Duma është zëdhënëse e grupit. Këtu ndalemi. Zëdhënësja e grupit nuk mund të bëjë asnjë deklaratë pa miratimin e grupit. Ky është standardi! Ky ishte qëllimi im. Nuk e kanë kuptuar fare”, tha Berisha.
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk mbështet kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha, për t’i kërkuar prova komisionit të votimit, për zbulimin dhe ndëshkimin e tre tradhtarëve, të cilët votuan pro Gramoz Ruçit.
Komisioni
Trupa përbërëse e komisionit tha për Shqiptarja.com se Partia Demokratike nuk ka treguar më asnjë interes, për të faktuar pretendimet e veta, për rrjedhje apo manipulim votash.
Kritikat e Berishës,demokratët e Shkodrës: Basha ik
Vetëm një ditë pas deklaratave të forta të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj kreut aktual të PD, Lulzim Basha, ka ardhur një tjetër goditje e fortë ndaj këtij të fundit. Anëtarët e PD në degën e Shkodrës kanë shprehur hapur pakënaqësinë ndaj Bashës, teksa janë ngritur me pankarta në duar kundër tij.
Gazetari i Report TV në Shkodër raportoi se te dera e selisë së PD dhe në sheshin “2 Prilli” janë vendosur pankarta, në të cilat shkruhet “Basha ik”. Pankartat janë vënë dje gjatë orëve të drekës, ku demokratët e qytetit verior kanë gjetur një mënyrë ndryshe për të shprehur pakënaqësinë ndaj Bashës. Kjo nuk është hera e parë që demokratët ngrihen kundër Bashës, pasi pakënaqësi të shumta ndaj tij kanë ardhur që pas humbjes së thellë që pësoi PD në zgjedhjet e 25 qershorit nën drejtimit e Bashës, ku demokratë të shumtë veshën me faj këtë të fundit, duke kërkuar largimin e tij. /shqiptarja.com/b.d