Presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se shndërrimi i FSK-së në FAK duhet të arrihet brenda një viti. “E kemi pasur mundësinë në 2014, që të formojmë Forcat e Armatosura, kemi pasur përkrahjen e të gjithë ndërkombëtarëve, dhe të gjithë ishin të gatshëm të votojnë por për shkak të zgjedhjeve të parakohshme kjo çështje mbeti pa u votuar.
Kaluan 2,3 vite dhe mbeti në heshtje, tash pasi është arritur vetëdijesimi i nevojës për formimin e FAK. Kemi marrë edhe iniciativën që të inkuadrojmë edhe komunitetet. Duhet të arrihet mendoj ndoshta brenda një viti, është e padiskutueshme. Nuk duhet që për pak muaj të cenojmë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë”, tha Thaçi.
Tutje i pari i vendit foli edhe për pjesëmarrjen e Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj, për të cilën ai tha se është mirë që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Në tryezën e KDI-së, Thaçi theksoi edhe procesin e njohjes nga shteti serb, për të cilën tha se duhet të jetë reciproke, përcjell televizioni publik.
“A është vonuar a sa është vonuar Lista Serbe s’ka më rendësi dikur 24 orë janë vonuar. Mirë që janë pjesë e vendimmarrjes. Njohja nga shteti serb do të jetë reciproke, do të jetë realitet”, ka thënë Thaçi. “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe të themelohet sa më shpejt”, ka thënë Thaçi.Sa i përket liberalizimit të vizave, Thaçi tregoi se i vetmi kusht është demarkacioni.
“Demarkacioni është i vetmi kusht për liberalizimin e vizave dhe nuk duhet të sillemi sikur nuk është kështu”, tha Thaçi, përgatiti Koha. (b.an)