Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me strukturën e kabinetit të ri qeveritar e në veçanti për disa nga ministritë që janë shkrirë me dikastere të tjera, duke krijuar kështu atë që është ashtuquajtur “superministri”.
I ftuar në emisionin Top Story, kreu i qeverisë ka deklaruar se “superministritë” e drejtuar nga Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e Ditmir Bushati nuk do të jetë thjesht dhe vetëm në dorën e tyre.
Kryeministri ka deklaruar se këto ministri do të jenë të pajisura me shumë Zëvendësministra, të cilët u shpreh Rama, do të ketë në supe përgjegjësi të mirëpërcaktuara.
Sokol Balla: Keni krijuar dy superministra, Infrastrukturën dhe Financat…
Edi Rama: Kemi krijuar një mekanizëm më premtues për të bërë punët me shumë më tepër kohezion dhe shpejtësi. Ky është momenti dhe faza që mendoj se ka nevojë për këtë mekanizëm. Në një moment tjetër mekanizmi mund të ndryshojë, nuk flas për këto 4 vjet. Nuk është çështje superministrish, por ulje të një numri shumë të madh ndërveprimesh që thjesht pengojnë dhe vonojnë. Ne po mundohemi të bëjmë një ekip zv/ministrash. Zv/ministrat kanë qenë për qoka dhe të gjithë e kemi përdorur për qoka këto 27 vjet. Ne duam të bëjmë një ekip.
Sokol Balla: Kjo më shumë se zvogëlim, duket thjesht një shkartisje nga pikëpamja sasiore dhe i largoheni premtimit për një administratë më të vogël.
Edi Rama: Ne kemi administratë të vogël dhe kemi numrin më të madh të drejtorive dhe agjencive. Kemi më shumë drejtorë në raport me administratën. Ministritë nuk do të drejtohen më nga një person i vetëm, por nga një skuadër.
***
Kryeministri Edi Rama ka folur sonte në studion e Sokol Ballës duket e nisur intervistën e tij me shpronësimet dhe dëmshpërblimet e qeverisë. Sipas tij, rasti i pallatit të prishur të Uji i Ftohtë në Vlorë është një nga shembujt sesi gjyqtarët japin vendime në favor të privatit duke dëmtuar shtetin.
Duke komentuar deklaratat e ish-presidentit Bujar Nishani, Rama tha se me ish-krerët e shtetit qeveria e tij ka vendosur një standard të ri në respekt të figurës.
“Me ish-Presidentin Nishani vendosëm një standard duke i ofruar një zyrë pune” – tha Rama. Sipas tij në godinën e ish-gazetës “Zëri i Popullit” ndodhet një ambient ku qeveria i ofron ish-presidentëve një sekretari dhe ambient pune.
Ai komentoi edhe të paktën dy votat e PD në favor të Gramoz Ruçit.
“Marrëdhëniet e Gramoz Ruçit me Partinë Demokratike janë mëse të mira kur “fiken dritat”. Ai është pika e tyre e referimit kur vjen puna për problemet në sallën e parlamentit” – deklaroi Rama.
Ai u ndal edhe te zgjedhja e Ilir Metës në krye të Shtetit. Rama tha se “Ilir Meta do të jetë President më i mirë se Kryetar Kuvendi”
Intervista
Sokol Balla: Vendimet e para ishin vendime që nuk mund t’i shmangin pyetjet, morët vendim për Skënderbeun, për certifikatat dhe dy vendime të tjera, një i dhatë zyrë bujar nishanit dhe kompensuat pallatin që prishët në Vlorë, ku aksionerë janë të afërm të kryetarit të opozitës.
Edi Rama: Kjo e dyta është e pavërtetë dhe më vjen keq që kazani mediatik prodhoi një tjetër broçkull. E vërteta është ndryshe. Ne kemi ndërmarrë një proces normal shpronësimi në kohën kur u zhvillua gjithë ajo zallahia për prishjen e asaj godine. Shifra është kontestuar nga pala e dëmtuar. Kontestimi i palës ka rënë në duart e një gjykatësi që është shumë i njohur për vendime skandaloze rritjesh të çmimeve të shpronësimeve të qeverisë, që ka arritur në pikën që të japë një vendim ekzemplar duke ndaluar shpronësimin për interes publik të një karburanti mu në aksin e Lungomares në Vlorë. Ky gjykatës ka katërfishuar vlerën e shpronësimit dhe procesi vazhdon në gjykatën e lartë. Nuk është lëvruar asnjë para sepse procesi vazhdon. Ky akt është krejtësisht në kundërshtim me çdo sens logjik dhe ligjor. Pala ka shkuar në Strasburg dhe atje është ankuar që nuk po na japin paratë, ndërkohë që nuk ka përfunduar procesi. Sa i takon bujar nishanit, ne kemi vendosur një standard që shërbimet qeveritare u ofrojnë një shërbim minimal ish-presidentëve të republikës. Ata kanë një godinë pranë ish-zërit të popullit dhe prej kohësh këtë shërbim minimal që shteti u ofron, qoftë Moisiut dhe mejdanit e kanë. Këtë ja kemi ofruar edhe ish-presidentit nishani. Këtu përfundon historia.
Sokol Balla: Ndërkohë që Ruçi i ndërpreu fjalën Berishës, ju transmetonit fjalën e Lulzim Bashës në facebook-un tuaj. Keni një ide të qartë se me kë doni të komunikoni nga ana e opozitës.
Edi Rama: Në ERTV i është transmetuar fjala e plotë kur ka nisur çadrën. Së dyti ERTV është një projekt në zhvillim dhe do të ketë të reja të tjera. Së treti, Basha është kryetar i opozitës, pavarësisht se Berisha është lider legjendar, që i tepron atyre që e shohin të tillë akoma. Të tjerëve nuk ka asnjë arsye pse tu marrësh kohë duke nxjerrë liderin legjendar.
Sokol Balla: Dy partitë kryesore të opozitës duket se kanë hedhur bazat e një bashkëpunimi. Po shkojnë drejt një bashkëpunimi që mund të prodhojë marrëveshje. A ju shqetëson kjo? Dhe a ka vdekur marrëveshja juaj me Bashën?
Edi Rama: Më shqetëson vetëm sesi t’u kthejmë njerëzve pas investimin që ata bënë më 25 qershor. Ky është i vetmi shqetësim sepse na kanë dhënë një përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe jemi të sfiduar që të jemi në lartësinë e kësaj përgjegjësie dhe kjo nuk varet as nga PD, as nga opozita pas kurrizit të PD, as nga lideri legjendar dhe as nga shumë të tjerë, varet vetëm nga ne.
Sokol Balla: Ndër shqetësimet e shqiptarëve është edhe rritja e cilësisë së procesit zgjedhor. Në marrëveshje e kishit që do të nisnit punën ditën e parë të legjislaturës së re do të nisë puna për reformën zgjedhore.
Edi Rama: Ajo që unë dua të përsëris që marrëveshja nuk është marrëveshje, nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Marrëveshja në këndvështrimin tim i duhet këtij vendi për të hyrë me një shpejtësi të re në raport me ambiciet dhe nevojat që kanë njerëzit e këtij vendi. Është një marrëveshje, ku të gjitha palët vetëm fitojnë dhe asnjë palë nuk humbet, ndërkohë që nga konflikti, sherri, fyerjet dhe sharjet Shqipëria humbet dhe mes palëve humbet më shumë ai që i fryn më shumë asaj politike. 25 qershori e tregoi që nuk japin shqiptarët votë me atë lloj politike. Nëse do të nisesha nga interesi i ngushtë politik, kjo do të ishte gjëja më mirë që të kishim përballë një opozitë që vetëm shan dhe vetëm hedh mllef e helm, që është komplet jashtë realitetit të shqetësimeve reale të shqiptarëve. Nuk ka shans që njerëzit të vënë gishtin dhe të thonë që këta na duhen për të qeverisur. Qytetarët panë për herë të parë një proces zgjedhor, që ekzistonte kur hapje televizorin dhe mbaronte kur e fikje televizorin. Nuk kishte as banderola, as konflikte, sharje sherre dhe asgjë.
Sokol Balla: Opozita thotë që u përshkallëzua shitblerja e votës…
Edi Rama: Opozita e ka thënë këtë në çdo palë zgjedhje. Ne kemi humbur një palë zgjedhje me më pak se 1 për qind. Opozita humb zgjedhje pas zgjedhjes me thellë e më thellë dhe kjo diferencë nuk thellohet se rritet kapaciteti blerës i votave, por bie kapaciteti bindës i kësaj opozite.
Sokol Balla: Nga këto akuza nuk shpëtoi as kryetari i ri i Kuvend, fakti që mori vota nga PD. Ju nuk jeni në dijeni të kësaj skeme, nëse ka patur një skemë për të marrë vota nga PD?
Edi Rama: Ai është moment domethënës që opozita të shikojë veten. Njerëzit qeshin me opozitën. Një grup politik që pretendon të udhëheqë një vend dhe pas asaj zgjedhje del dhe thotë që nuk dërguam komisionerë për të vjedhur ne votat.
Sokol Balla: Nuk ka PS dorë në atë që ndodhi kur u zgjodh Ruçi?
Edi Rama: Di të them që nëse do të kishte marrë pjesë edhe LSI, do të kishin qenë shumë më tepër vota, thjesht sepse ajo që shumë njerëz harrojnë është që Gramozi ka në këtë Parlament që ditën e parë, njohje, lidhje, marrëdhënie dhe marrëdhëniet e Ruçit me përfaqësues të PD janë mëse të mira kur fiken dritat e ekranit. Ai është pika e referimit të PD historikisht kur vjen puna për të biseduar dhe nuk çuditem fare që aty të ketë vota njerëzish që kanë gjëra personale me të. Pastaj këta njerëz, humbën 140 mijë vota në krahasim me 4 vite më parë.
Sokol Balla: Në perceptimin e përgjithshëm ishte zgjedhja më e mirë vendosja e Ruçit, nuk kishte kandidaturë më të mirë?
Edi Rama: Jo ne, por nëse do të marrim 140 njerëz në sallë e do të thonin se cili është personi më i duhur për të drejtuar këtë Parlament, asnjë palë nuk do të mund të gjente një person më të përshtatshëm sesa deputeti me përvojën më të gjatë në atë Parlament, që kurrë në gjithë karrierën e tij nuk është shquar njëherë për retorikë luftënxitëse, flakëhedhëse, përçarëse dhe të gjitha me radhë. Edhe kur çohej ndonjëherë dhe shkonte në maksimum, “Sali, ajo partia e ime dhe e jotja…”, ky ishte maksimumi. Së treti, është i vetmi deputet që e zotëron në majë të gishtave rregulloren. E patë në momentin e parë të kontestimit për rregulloren sesi dolën bllof pasi Gramozi i orientoi drejt neneve ku duhet të lexonin.
Sokol Balla: Disa veprime të ambasadorit amerikan janë interpretuar si mosdakordësi me zgjedhjen e Ruçit?
Edi Rama: Po si nuk doli një klub mediatik dhe të thotë një të vërtetë të thjeshtë. Gramoz Ruçit i është refuzuar një vizë në vitin 2005 dhe më pak se dy muaj më pas i është dhënë viza për SHBA si i ftuar në kongresin e Partisë Republikane. Ajo ftesë në kongresin e republikanëve që nuk kishte lidhje me Gramozin, ka qenë një shprehje e të vërtetës së thjeshtë se me atë refuzim u bë një gabim. Nuk ka rëndësi, sepse kryetari i Kuvendit do të vizitojë Kongresin amerikan dhe kjo merr fund.
Sokol Balla: Kryetari i Kuvendit duhet të dorëzojë funksionet partiake?
Edi Rama: Duke njohur Gramoz Ruçin di që nuk është njeriu që akumulon mandate.
Sokol Balla: Pra zgjedhja e largon nga roli historik në PS?
Edi Rama: Absolutisht që Gramozi në këndvështrimin tim është nga ato figura që askush nuk i largon përveç vullnetit të tij. Mos u çudisni nëse Gramozi do të jetë akoma aty, ndërsa unë në kurs pikture me Zahon.
Sokol Balla: Kur fliste Monika, çfarë dëgjonit me kufje?
Edi Rama: Po shikoja CNN. Nuk ishte fare akt i qëllimshëm. Debatet i kam ndjekur me vëmendje dhe i kam dëgjuar të gjitha.
Sokol Balla: E përkëdhelët Presidentin Meta, besoni se raporti po shkon drejt normalizimit?
Edi Rama: Unë e kam thënë kur shumëkush mendonte që na priste një kataklizëm dhe kur Iliri mendonte se na priste radha e gjatë për të marrë në telefon Petrit Vasilin, që nuk i druhem fare të ardhmes në aspektin e rolit të Metës, sepse duke e njohur ja di edhe dallgën që e çon në fatkeqësi, ja di edhe sensin e përgjegjshmërisë për të kryer detyrën. Unë besoj që do të jetë si President shumë më i mirë si kryetar Kuvendi, që ka vetëm një meritë që i dha liderit legjendar mundësinë që të flasë në katër vjet, aq sa do t’i ishin dashur me një kryetar Kuvendi si Gramozi për 40 vjet.
Sokol Balla: Cilat ishin kriteret që përzgjodhët ministrat e rinj?
Edi Rama: Ato që kam thënë dhe besoj që jo unë, por çdo kryeministër që përzgjedh një ekip, ka parasysh aftësitë, përvojën, dhuntinë apo edhe kapacitetin për të qenë pjesë e një ekipi. Nga ana tjetër, në mënyrën sesi unë kam konceptuar këtë proces, qeveria është njëra pjesë e ekipit, pjesa tjetër është grupi parlamentar dhe pjesa tjetër është partia, pra skuadra që do të drejtojë gjithë përpjekjet për qëllimin e madh që kemi që t’i japim jetë një koalicioni real me njerëzit. Në fund të shtatorit besoj, do të bëjmë prezantimin e platformës së bashkëqeverisjes, që do të jetë një mekanizëm që do t’i vihet në dispozicion çdo shqiptari që ta përdorë duke patur akses në qeverisje dhe në këtë platformë do të ketë një sërë ndërveprimesh dhe deri në interpelancë të kryeministrit dhe ministrit përkatës me kërkesën e një grupi anëtarësh të këtij koalicioni.
Sokol Balla: Duket pak si populiste, nga ato që fillojnë dhe harrohen…
Edi Rama: Është një sfidë dhe qëllim shumë i madh dhe ne do të bëjmë çmos që ta realizojmë. U lutem njerëzve që të marrin pjesë në këtë proces dhe të na vendosin në provë. Kemi më shumë sesa një muaj që po punojmë për të ngritur gjithë trupën e njerëzve për platformën e qytetarëve, që do të jetë një hapësirë në kohë reale dhe do të përpunohet në kohë reale.
Sokol Balla: Ka lidhje me zotin Tahiri?
Edi Rama: Jo, koordinatori kombëtar për bashkëqeverisjen do të bëjë të gjithë pjesën që lidhet me planin, të regjistrimit dhe përfshirjes së njerëzve në këtë proces. Ne do të angazhohemi të gjithë që t’ua bëjmë njerëzve të qartë se cfarë është dhe cfarë arsyesh ka për t’u bërë anëtarë të këtij koalicioni.
Sokol Balla: Në kryeministri po përqendrohen shumë funksione, edhe tenderat po i merrni ju?
Edi Rama: Këto janë të pavërteta! Në kryeministri ka qëkur është krijuar Kryeministria ka qenë një zyrë ankesash, që është bërë si njëlloj dispecerie, që ne do të kthejmë në një dispeceri ku nuk është thjeshtë detyra, më erdhi letra, po e coj atje, po marr përgjigjen, por detyra është merre nga ekrani ankesën dhe ndiqe ankesën deri në fund se kush ka të drejtë dhe përgjegjësia e cdo ankese do të jetë e ministrave. Në të gjitha rastet kur ka konflikt mes kësaj zyre dhe ministrisë, ankesa do t’i shkojë ministrin dhe ministri do të marrë raportin cdo javë. Cdo qytetar në këtë raport do të jetë i kujdesur prej nesh, njësoj sikur ka mikun më të madh në qeveri, se ky është thelbi. Ne duam ta bëjmë qeverinë mikun më të madh të qytetarit. Në të gjitha rastet, kur verifikohet që qytetari ka të drejtë, punonjësi përkatës ikën nga puna menjëherë.
Sokol Balla: Keni krijuar dy superministra, infrastrukturën dhe financat…
Edi Rama: Kemi krijuar një mekanizëm më premtues për të bërë punët me shumë më tepër kohezion dhe shpejtësi. Ky është momenti dhe faza që mendoj se ka nevojë për këtë mekanizëm. Në një moment tjetër mekanizmi mund të ndryshojë, nuk flas për këto 4 vjet. Nuk është çështje superministrish, por ulje të një numri shumë të madh ndërveprimesh që thjesht pengojnë dhe vonojnë. Ne po mundohemi të bëjmë një ekip zv/ ministrash. Zv.ministrat kanë qenë për qoka dhe të gjithë e kemi përdorur për qoka këto 27 vjet. Ne duam të bëjmë një ekip.
Sokol Balla: Kjo më shumë se zvogëlim, duket thjeshtë një shkartisje nga pikëpamja sasiore dhe i largoheni premtimit për një administratë më të vogël.
Edi Rama: Ne kemi administratë të vogël dhe kemi numrin më të madh të drejtorive dhe agjencive. Kemi më shumë drejtorë në raport me administratën. Ministritë nuk do të drejtohen më nga një person i vetëm, por nga një skuadër.