Ka nisur sot viti i ri para-universitar për sezonin 2017-2018 në të gjithë Shqipërinë
Mbi 495 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë nisën sot vitin e ri shkollor 2017-2018.
Dyert e shkollave u çelen sot në mëngjes për të nisur vitin e ri mësimor.
Nga ky numër total, rreth 33 mijë vogëlushë do të përjetojnë emocionet e uljes për herë të parë në bankat e shkollës.
Sipas Udhëzimi të Ministrisë së Arsimit, shkolla fillon në 11 shtator dhe përfundon në 2 qershor 2018 për arsimin fillor, dhe 14 qershor për shkollat e mesme.
Ndërkohë një ditë përpara fillimit të shkollës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka firmosur një urdhër të detajuar për masat e posaçme me qëllim marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, të aksidenteve rrugore në shkolla dhe përreth tyre.
Policia do të shkëmbejë informacione me stafin pedagogjik për nxënësit që mund të mbajnë me vete armë zjarri, armë të ftohta apo sende të tjera të forta të rrezikshme dhe mbi bazën e tyre zhvillimin e kontrolleve në portat e hyrjes ngapersoneli roje i shkollës, në prani të mësuesve dhe nën mbikëqyrjen e punonjësit të policisë.
Gjithashtu do të mbyllen lokalet e tregtisë dhe pikave ambulante të shitjes që tregtojnë pije alkoolike, produkte ushqimore të skaduara apo në ndonjë rast dhe lëndë narkotike pranë shkollave, të cilat jo rrallë herë janë pika të grumbullimit të personave me precedent kriminal.
Javanews uron të gjithë nxënësit, në veçanti vogëlushët që ulën për herë të parë në bankat e shkollës, për një vit të mbarë në rrugën e gjatë, por të bukur drejt dijes.
a.ç