Më 8 dhjetor të vitit 2014, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u mandatua për kryeministër të vendit, pas arritjes së koalicionit paszgjedhor me PDK-në, e cila atë kohë drejtohej nga Hashim Thaçi.
Mirëpo, ndonëse dy partitë së bashku kishin 67 deputetë, dhe quhej “koalicioni i fortë”, vota nuk kishin mjaftueshëm pasi kishte kundërshtime si brenda PDK-së, ashtu edhe brenda LDK-së për t’i dhënë votën Mustafës.
Atyre u duheshin edhe votat e Listës Serbe, që aso kohe drejtohej nga Aleksandar Jabllanoviq (i cili më vonë u shkarkua pasi ofendoi nënat gjakovare të cilat i quajti ‘bisha’), dhe kishin gjithsejtë 9 deputetë, e të cilët votën pro kësaj qeverie e kishin kushtëzuar me përmbushjen e disa kërkesave të tyre, gjë që bëri që seanca e 8 dhjetorit të ndërpritet dhe të vazhdohet një ditë më pas, raporton Koha.net.
Por, edhe përkundër presionit, koalicioni PDK-LDK nuk i pati pranuar kushtet e tyre dhe përfundimisht, pas shtyrjes së votimit për kryeministër për 24 orë, deputetët serbë u paraqitën në Kuvend dhe e votuan ekzekutivin e ri.
Kushtet të cilat Lista Serbe i kishte përfolur për disa muaj me radhë aso kohe, publikisht, ishin formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, kthimi i qëndrueshëm i personave të shpërngulur, mundësimi i kthimit të pronës së Kishës Ortodokse Serbe si dhe anulimi i privatizimit të ndërmarrjeve në mjediset ku jetojnë serbët.
Qeverisjen LDK-PDK e kishin kritikuar aso kohe skajshmërisht partitë opozitare, VV, AAK dhe Nisma, pasi LDK, duke qenë për rreth 6 muaj pjesë e bllokut opozitar VLAN, kishte dalë nga ky bllok dhe i ishte bashkuar partisë së Hashim Thaçit, duke i dhënë fund bllokadës institucionale 6 mujore. E ishin pikërisht dy prej këtyre dy partive që iu bashkuan PDK-së në koalicion parazgjedhor në zgjedhjet e 11 qershorit të vitit 2017 – AAK dhe Nisma, pas prishjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK dhe rënies së Qeverisë.
Edhe dje ndodhi pothuajse e njëjta gjë kur u thirr seanca ku pritej të votohej qeveria Haradinaj, mirëpo në sallë mungonin deputetët e Listës Serbe. Kjo pasi të njëjtit kishin qenë në një takim konsultues me shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Beograd.
Pasi Gjuriq ua dha bekimin për të hyrë në Qeverinë Haradinaj, deputetët serbë u nisën për në Kosovë, mirëpo nuk arritën të vinin në Kuvend deri rreth orës 19:00. Gjatë kësaj kohe, seanca e thirrur për në orën 16:00 ishte shtyrë nga kryetari Kadri Veseli për 15 minuta, pauzë e cila zgjati shumë më shumë, në pritje të serbëve.
Kur serbët erdhën, seanca vazhdoi dhe, në kohën kur i mandatuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, u sigurua se ka vota të mjaftueshme dhe doli në foltore për të prezantuar programin e tij qeveritar, partitë opozitare, Vetëvendosje dhe LDK me Alternativën, lëshuan sallën.
Kabineti qeveritar i Haradinajt mori 61 vota nga 62 deputetë që ishin në sallë, bashkë me deputetët e Listës Serbe, ndërsa deputeti i Nismës, Zafir Berisha, abstenoi gjatë votimit. (b.an)