Nga Flogert Muça*
Rrjedhja e votave të PD-së në momentin e votimit për Gramoz Ruçin në krye të Kuvendit për legjislaturën e IX ishte e bujshme. Me Berishën dhe Bashën në sallë, dy deputetë të Partisë Demokratike votuan ndryshe nga grupi parlamentar në votimin e fshehtë për kreun e ri të Kuvendit.
Ky zhvillim politik ka bërë që sot selia e Partisë Demokratike të kthehet në një arenë boksi. Të gjithë lënë faje. Ka nga ata që fajtor bëjnë Bashën, ka të tjerë që bëhen qesharakë dhe thonë që “nuk ishin votat tona”.
Megjithatë, të gjitha i ka sqaruar doktori sot në mbledhjen urgjente të grupit parlamentar të paradites. Siç thonë burimet mediatike, Berisha i është përveshur keq Salianjit e Dumës pse këta të fundit reaguan mbrëmë pas votimit ku rrodhën votat, pa u konsultuar me grupin parlamentar.
Berisha mbrëmë ka përjetuar ditën e tij më të dobët në historinë e parlametarizmit, dhe këtë e ka shprehur sot kur ka thënë në mbledhje se “Kam dalë me kokën ulur. Jam ndjerë i fyer dhe i lënduar”. Ai, Berisha që s’ia ka bërë syri tërr as në 1997, 1998, Gërdec e 21-janar, mbrëmë është vrarë politikisht.
Shpjegimi është në fakt shumë i thjeshtë. Doktorin mbrëmë e ka vrarë krijesa e tij politike. Vendosja e Bashës në krye të PD-së ka qenë ndoshta gabimi më i madh politik i Berishës. Atë mbrëmë e ka vrarë pikërisht krijesa e tij politike. Ai mbrëmë ka qenë viktimë e veprimeve të veta.
Për fatin e keq të Partisë Demorkatike, mbrëmë është vërtetuar argumenti i kryeministrit Rama para ca muajsh (kur PD-ja ishte në çadër), kur thoshte se “Nuk ka asnjë krizë tjetër veç krizës në të cilën ndodhet Partia Demokratike, e cila krizën e saj do ta trajtojë si krizë të përgjithshme”.
Mbrëmë dhe sot është vërtetuar dhe vazhdon të vërtetohet se për fatin e keq të Partisë Demokrtike, por dhe të opozitarizmit në vend, Rama kishte të drejtë. Kriza në PD që nga çadra e deri sot veçsa zgjerohet. Krijesa politike e Berishës po varros përfundimisht Partinë Demokratike. Pa asnjë kauzë, pa asnjë propozim, një ndër dy partitë më të mëdha në vend sot është drejt shpërbërjes. Përgjegjësi është vetëm Sali Berisha, i cili i ka folur edhe deputetëve sot si kryetar partie, siç de fakto ka qenë gjithmonë. Pra, ai ka marrë vetë përgjegjësinë.
Përveç hedhjes së baltës mbi Shqipërinë në mediat e huaja, për asgjë tjetër nuk bihet dakord më në partinë demokratike. Aty tanimë secili e sheh tjetrin si puçist, e sheh shokun e ekipit si dezertor, si të atij dhe këtij Brenda familjes politike ose jashtë saj. Kjo frymë po e vret Partinë Demkratike dhe e gjitha kjo është “meritë” e Sali Berishës. Ai është vrarë mbrëmë nga krijesa e tij politike, i cili nga budallallëku apo me ndonjë plan në kokë, po e turpëron doktorin çdo ditë e më shumë, si asnjëherë më parë. Berisha u vetvra nga lëvizjet e tij.
Çdo akuzë që Partia Demokratike do të bëjë do të jetë asgjë më shumë se një tantativë për të fshehur atë që nuk fshihet, krizën dhe përçarjen që po zhduk një aset kombëtar siç është Partia Demokratike.