Sali Berisha ka shpërthyer në grupin parlamentar të PD. Votat demokrate pro Gramoz Ruçit e kanë tërbuar.
“Kam dalë me kokën ulur. Jam ndjerë i fyer dhe i lënduar”, është shprehur Berisha, sipas burimeve të lapsi.al.
Lumi i pakënaqësisë ra mbi kryetarin Basha.
Ai deri tani nuk ka bërë as ndonjë reagim zyrtar për çfarë ndodhi me votat e demokratëve mbrëmë. Dy ose tre prej tyre i dhanë votat Gramoz Ruçit, “pinjollit të fundit të komunizmit” e quante Basha mbrëmë para ish –të përndjekurve që protestonin në kohën kur brenda socialistët duartrokisnin edhe votat e demokratëve.
Përgjegjësi për çfarë ndodhi kanë kërkuar edhe deputetë dhe aleatë të PD.
“U tha që i ka blerë Gramozi. Unë s’e di kush janë, se po ta dija do ua thoja. Por ju si kryesi grupi ndaj jeni, që të bëni aritmetikë dhe të llogarisni çdo gjë”, është shprehur Vali Duka, e para e listës së Korçës.
Lapsi.al mëson se edhe Dashamir Shehu i është drejtuar Bashës si përgjegjës.
“Është përgjegjësia jote që të gjesh kush e ka bërë, se nëpër facebook ke nxjerrë njerëz që na akuzojnë ne”.
Dy deputetë të PD, Gent Strazimir dhe Grida Duma, nxituan mbrëmë të akuzojnë PS se i vodhi votat.
Por edhe ky variant nuk i shërbeu Bashës. Si rrallë ndonjëherë, ai ka parë të ketë kundër në grupin parlamentar, Sali Berishën, mbështetësin e tij në çdo rrethanë, deri më sot.