Reagimet e demokratëve për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të parlamentit edhe me 3 vota të opozitës kanë qenë të shumta.
Ish-deputeti i PD-së Sherefedin Shehu madje thotë se marrëveshja Rama-Basha është ende në veprim dhe këtë sipas tij e tregoi vetë kryeministri me falënderimin e tij publikt për pjesëmarrjen në votimin e Ruçit.
Ai e quan cinike pjesëmarrjen e Bashës në protestën e të përndjekurve.
STATUSI I SHEHUT
SHBA e Bojkoton, PD e voton zgjedhjen e Ruçit
PD e ka kundërshtuar publikisht zgjedhjen e Ruçit si Kryetar Kuvendi madje edhe e ka akuzuar se i ka “duart me gjak”, ndërsa dje mori pjesë në votimin e tij dhe i ka dhënë edhe 3 vota. Kështu ne nuk bëjmë opozitë por retorikë. Dhe kjo e bën cinike pjesëmarrjen e Bashës në protestën e të përndjekurve pas zgjedhjes së Ruçit.
Me sa duket marrëveshja Rama-Basha është në veprim. Këtë e konfirmoi vetë Rama, e cili e falënderoi publikisht PD-në për pjesëmarrjen në votimin e Ruçit, jo për 3 votat, sepse nuk kishte nevojë për ato. Prandaj në vend që të bëjmë sikur protestojmë më mirë të reflektojmë. Dhe reflektimi duhet të jetë shumë i thellë, sepse:
1. Po të kishim ligjin e lustracionit Ruçi nuk mund të emërohej Kryetar. PD ka folur shumë por një ligj lustracioni sipas modelit të vendeve të tjera ish-komuniste nuk e bëri asnjëherë.
2. Në “demokracinë” tonë nuk bëhen zgjedhje por emërime. Kështu emërohen fillimisht kryetarët e partive, dhe më pas ata emërojnë kryetarët e bashkive, deputetët, Kryeministrin, Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit.
3. Po të kishte fituar PD-ja 71 deputetë Ruçi nuk mund të emërohej Kryetar.
4. Po të mos kishte fituar PS-ja shumicën në Kuvend, përsëri Ruçi nuk mund të emërohej Kryetar.
5. Në Shqipërinë tonë nuk ekziston morali duke filluar nga kokat që ne i quajmë liderët e partive, të cilët shumicën e deputetëve që i emërojnë e kanë kriminelë, adoleshentë, të pashkollë, të paaftë, servilë dhe spiunë.
Pra në demokracinë që ndërtuam të gjithë së bashku nuk është ndonjë çudi që Ruçi u zgjodh Kryetar Kuvendi. Atëherë pse çuditemi dhe gjoja protestojmë sot?