Pas votimit të Gramoz Ruçit kryetar Kuvendi, Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur interesimit të medias. Referuar bojkotimit të votimit nga LSI, ai tha se “Mirëkuptoj aleatët e deri djeshëm se nuk kanë dashur të kenë rrjedhje votash. Por nuk ka rëndësi sa vota më shumë e sa më pak ,rëndësi ka të kryejmë atë për të cilën qytetarët na kanë sjellë”.
Po ashtu, Rama ka falenderuar edhe presidentin Meta për dekretimin e shpejtë të tij Kryeministër, teksa shtoi se “me Metën njësoj i ka pasur marrëdheniet pavarësisht retorikës në fushatën fatkeqe për Metën”.
“Falenderoj presidentin për shpejtësinë me të cilën ka reaguar, duke e bërë të lehtë nga pikëpamja proceduriale rrugën drejt seancës të së hënës”, tha Rama.
Sa i takon marrëveshjes me kreun e opozitës Basha para zgjedhjeve, Rama tha se “shpresoj që ajo marrëveshje të jetë gjallë dhe kryetari i opozitës t’i qëndrojë”. Rama tha se PD sot ishte totalisht korrekte me qëndrimet e saj sot.
Ndërkohë, referuar zgjedhjes së Ruçit kryetar Kuvendi, Rama tha se PS do t’i ktheje dinjitetin këtij institucioni rregullorja e të cilit është nëpërkëmbur në 4 vitet e shkuara.
“E rëndësishme është që sot ne startuam me drejtimin e ri të Kuvendit dhe ambicia jonë është që Kuvendit t’i kthehet dinjiteti i nëpërkëmbur në 4 vjet nga një gjendje kaosi permanente dhe në shkelje të rregullores të miratuar me konsensus. E rëndësishme është që në Kuvend të sjellim një frymë të re, bashkëpunimi, natyrisht brenda llogjikës normale të pozicioneve të kundërta sepse në fund fare jemi këtu për tu ballafaquar dhe ndeshur për vizione programe, ide, qasje të kundërta e në fund e rëndësishme është tu japim shqiptarëve një shembull pozitiv të përpjekjes për ta dhe me ta, tu kursejmë shfaqjen e përjavshme të një banaliteti tërësisht të padenjë”, vijoi Rama./a.m.