KUOTAT E LIRA
Tashmë kanë mbetur edhe dy faza për t’u mbyllur raundi i parë i regjistrimeve. Të dyzuarit kanë një shans për të konkurruar sërish, por vetëm pasi të jenë çregjistruar nga dega ku kanë dorëzuar dokumentet.
Udhëzimi nr. 15 i Ministrisë së Arsimit përcakton datën 12 për ta bërë këtë gjë, në të kundërt nuk ka të drejtë ta ndryshojë degën për një vit të tërë. Vetëm një ditë më pas, më 13 shtator, pas çregjistrimit të studentëve, do të mund të kalkulohen edhe kuotat e lira, të cilat duhet të plotësohen në raundin e dytë.
Në këtë pikë, çdo aplikues duhet të dijë paraprakisht që nuk hapen vende të lira, por do të konkurrojnë vetëm për kuotat që nuk u plotësuan në shtatë fazat paraardhëse. Në datat 15-22 shtator, kandidatët kanë mundësi të listojnë dhjetë preferenca në universitetet publike apo private, jo medoemos të njëjta me formularin që plotësuan në raundin e parë.
Aplikimet do të kryhen në çdo mjedis ku ka akses interneti sipas kalendarit të publikuar tashmë në faqen e qendrës së shërbimeve arsimore. Por përpara aplikimit, ata që aplikojnë për herë të parë për këtë vit do të duhet më parë të kryejnë pagesën në vlerën e 2 mijë lekëve të rinj dhe pas aplikimit duhet të presin datën 30 shtator, kur dalin listat e dyta të fituesve.
RAUNDI I DYTË
Ata që e shohin ID e tyre në listën e fituesve për kuotat bosh, mund të regjistrohen në raundin e dytë që zhvillohet në dy javët e para të muajit tetor. Edhe ky raund është i ndarë në 7 faza dyditore, ku secili aplikant monitoron përmes portalit U-albania ecurinë e procesit të shpalljes së fituesve në degët ku ka aplikuar.
Regjistrimet vazhdojnë në faza 48-orëshe, ku pas secilës dalin fitues të rinj në përputhje me numrin e kuotave të ngelura për çdo degë dhe sipas renditjes në listat e shpallura nga fakultetet. Ndryshe nga fituesit e raundit të parë, të cilët mund të çregjistrohen, këta të fundit kanë vetëm të drejtën e ankimimit për çdo pasaktësi në proces, që mund të bëhet vetëm në datat 1 dhe 2 tetor.
ma.me