“Mjaft më me data, siç është bërë deri më sot”. Duke folur për herë të parë jo vetëm si ministër i Jashtëm, por edhe si kryenegociator për integrimin e vendit në BE, Ditmir Bushati nuk i shmangu kritikat për mënyrën sesi është parë deri më sot ky proces.“Vitet e shkuara është luajtur shumë me datat. Elementi kryesor ku duhet të referohemi është ai konvergjent. Mënyra si funksionojnë institucionet tona, mënyrën si reformohet shteti dhe shoqëria shqiptare, situata ekonomike. Këto janë tema që krijojnë presionin e domosdoshëm në shoqëri, në mënyrë që qeveritë, vendimmarrësit kryesorë të marrin vendimet e duhura dhe të drejta”, tha Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme.
I sapokthyer nga Sllovenia, ku pati një takim edhe me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini, kreu i diplomacisë shqiptare pranoi se BE-ja lëviz me hapa të ngadaltë kur flitet për zgjerimin, por sot – sipas tij, – topi është në duart tona.
“BE-ja lëviz, ndonësë jo me atë lloj shpejtësie dhe vrull që ne do të dëshironim të lëvizte. Por e sigurtë është se ku ka vullnet për reforma, ku ka vullnet për transformin, është e vështirë të thuhet që BE-ja nuk është përgjigjur. Tani është e qartë se topi është në fushën tonë dhe nevojitet që ne të forcojmë më tej konsensusin kombëtar dhe dialogun politik, në mënyrë që integrimi europian të mos jetë thjesht retorikë, por të jetë edhe ai që ne dëshirojmë ta konsiderojmë si projekti ynë i vetëm kombëtar”, tha më tej Bushati.
E ndërsa kërkoi vullnet politik për këtë proces, Bushati vlerësoi vitin e ardhshëm si vendimtarin për të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së.
“Duke qenë se jemi para fillimit të Parlamentit të ri, shpresoj shumë që vullneti politik qeveri-opozitë te ky proces do të duhet të demonstrohet me një cilësi më të madhe dhe me një bashkëpunim edhe më të strukturuar sesa në të kaluarën. Të gjithë aktorët politik shpresoj të kenë nxjerrë mësimet e duhura. Viti 2018 është viti vendimtar. Vet BE-ja, në pranverën e 2018-s do të diskutojë për paketën e zgjerimit dhe në rast të një vendimmarrjeje për ne, që shpresojmë të jetë pozitive për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, periudha një vit e gjysmë përpara do të jetë vendimtare, sepse 2019-a do të jetë rinovim institucionesh në BE. E kur ka rinovim insitucionesh dhe mandatesh, nuk ka domosdoshmërisht një fokus te ky lloj procesi”, deklaroi Bushati./tch
ma.me