Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili e konsideron inkuizicion mesjetar reagimin e kryeministrit Rama pas zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave.
Teksa e quajti Ramën “turist”, Vasili thotë se në 4 vite, kryeministri nuk pati as kohë të lexonte raportin e një komisioni të ngritur për këtë çështje.
Por një komentues ka ngacmuar Vasilin.
Ndërkohë, një qytetar i ka shkruar Vasilit publikisht se priste prej tij një reagim mbi vrasjen e gjyqtares Fildese Hafizi.
Postimi i plotë i Vasilit
Kryeministri i ri nuk po lodhet së diskredituari kryeministrin e vjetër të zgjedhur në 2013-n. Kryeministri i vjetër, si turist i thekur që ishte, nuk pati asnjë minutë kohë për të humbur me reformimin e Akademisë së Shkencave. S’pati asnjë minutë kohë as të lexonte çfarë sugjeroi komisioni i ngritur prej tij në 2013-n, për reformimin e akademisë.
Katër vjet vegjetoi kryeministri i vjetër dhe tani u ngrit ky kryeministri i ri dhe po i tregon vendin atij shkollëpaktit, që e la reformimin e akademisë në mes të udhës. Kryeministri u kujtua vetëm ditën e zgjedhjeve dhe e kërcënoi me rrethim, me nxjerrje nga godina dhe me heqje të parave.
Çdo shfajësim për këtë parazitizëm shtetëror kryeministror katërvjeçar është turp, vizion që urren shkencën dhe inkuizicion obskurantist mesjetar.