Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar ndaj kryeministrit Rama për Akademinë e Shkencave. Në një status në FB, Vasili thotë se i gjithë ky debat bëhet pasi Rama do ti rrëmbeje godinën Akademisë.
Reagimi i Vasilit
Shkollëpakti flet për godinën e Akademisë së Shkencave
Akademia e Shkencave ka nevojë të transformojë rrënjësisht raportin e saj me shoqërinë dhe vendin. Edhe menaxhimi i saj i brendshëm duhet të ndryshojë.
Akademia dhe akademikët duhet të jenë pjesë e vyer e debatit publik multivalencial, por ata i kanë munguar këtij debati, ndaj edhe ai është shpesh shumë i varfër dhe domen i profanëve të paskrupuj.
Raporti i akademisë me shkencëtarët e rinj të talentuar, që formohen në Shqipëri dhe jashtë saj dhe me kërkimin shkencor në tërësi, është i ngurtë dhe joinspirues.
Këto janë çështje madhore, që duan përgjigje, e që edhe ne i duam këto përgjigje.
Një tjetër Akademi Shkencash i duhet vendit. Zgjedhjet brenda saj, që riciklojnë problemet e vjetra dhe nuk na i japin këto përgjigje, përse duhen?
Nga i gjithë ky debat i madh konceptual dhe parimor kryeministri ynë shkollëpak ka kuptuar vetëm që duhet t’i rrëmbejë godinën dhe të mos i japë më ca lekurina Akademisë.
Aq di, kot t’i kërkojmë më shumë atij.