Liverpooli ka mohuar deklaratën e Barcelonës se klubi anglez ka kërkuar 200 milionë euro për Philippe Coutinhon.
Burimet e Sky Sports News kanë thënë se Liverpooli assesi nuk donte shitjen e brazilianit dhe kjo gjë nuk ndryshoi gjatë tërë afatit të verës. Për këtë qëndrim të Liverpoolit ishte në dijeni edhe Barça.
Menaxheri i Liverpoolit, Jurgen Klopp ka insistuar se Coutinho nuk ka çmim, por drejtori i Barçës, Albert Soler, ka pohuar se klubi anglez kishte caktuar një çmim për brazilianin dhe se ishin të hapur për shitjen e tij.
“Të premten, pas disa javë ofertash e bisedimesh, Liverpooli caktoi çmimin për lojtarin që donim [Coutinhon]”, ka thënë Soler në një konferencë për media.“Çmimi ishte 200 milionë euro dhe ne vendosëm se nuk mund ta pranonim”, ka shtuar ai, përgatiti Koha. (b.an)