Kryeministri Edi Rama ka reaguar për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi. Në një status në ‘Facebook’ të prerë e të qartë, Rama i quan ‘krokodilë’ të gjithë ata që reaguan për ekzekutimin e 39-vjeçares dhe thotë se ata nuk e donin reformën në drejtësi.
“Krokodilët që lotojnë për gjykatësen e ndjerë nuk donin as Reformën në Drejtësi as Vetingun! Përpara me Vetingun për drejtësinë që duam🇦🇱🇪🇺”, shkruan Rama.
Kryeministri i quan krokodilë ata që sot akuzojnë, ndërsa ka bërë thirrje që reforma në drejtësi dhe vetingu të vazhdojnë.
Gjykatësja e Gjykatës së Shkodrës, Fildes Hafizi 39 vjeç u qëllua për vdekje me armë nga ish-bashkëshorti i saj Fadil Kasemi 53 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.
Në vitin 2015, ish-burri kishte tentuar ta vriste gjyqtaren në Golem, por ngjarja ishte shmangur dhe 53-vjeçari u dënua me 3 vite për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, por vuajti vetëm rreth 1.6 vite burg. Fildes Hafizi kishte disa urdhra-mbrojtje pasi dhunohej nga ish-bashkëshorti./a.ç