Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, i vlereson si te pabaza pretendimet e përfaqësuesve të njërës prej shoqatave të transportit, që operon në linjat ndërqytetase. Ne nje njoftim per shtyp ministria ne fjale shprehet se i hedh poshtë këto pretendime në mënyrë kategorike si jo të mbështetura në ligj dhe spekulative.
“MTI, thekson se procesi i hartimit të rrjetit të transportit ndërqytetas, është bërë në bashkëpunim mes MTI-së, shoqatave të transportit ndërqytetas dhe pushtetit vendor, për të plotësuar nevojat e banorëve për mbulim të plotë të territorit. Gjatë procesit është marrë mendimi edhe i shoqatës që organizoi protestën, e cila ka shfaqur vlerësimin për nismën dhe bashkëpunimin me Ministrinë. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, u bën apel të gjithë operatorëve të transportit ndërqytetas, që të operojnë në përputhje me kushtet e liçensave dhe të mos abuzojnë. Sepse janë pikërisht këto abuzime të operatorëve në raste të caktuara, që krijojnë këto pretendime të paqena”, theksohet ne reagim.
Ndërkohë MTI, sqaron se përfaqësuesi i shoqatës që ngre pretendimin është në një proces gjyqsor me një palë tjetër, të cilës gjykata i ka dhënë të drejtë për liçensimin e operimit të njërës prej linjave, dhe për këtë shkak përpiqet të dizinformojë opinionin publik dhe akuzojë pa baza dhe argumenta ligjore.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, për ti dhënë fund gjithë këtyre spekulimeve, ka vendosur të pezullojë procesin e liçensimit për linjat ndërqytetase, deri në marrjen e detyrës nga titullari i ri. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës i kërkon ndjesë operatorëve që kanë aplikuar dhe janë në pritje të liçensimit, por e ndërmerr këtë hap për ti prerë rrugën çdo keqinterpretimi dhe spekulimi.
ma.me