Banorët e shtetit Luiziana në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për ballafaqim me stuhinë tropikale Harvey, derisa ajo sot e ka goditur bregdetin, pasi ka shkaktuar vërshime dhe të reshura të mëdha në Teksasin fqinj. Në qytetin Hjuston të Teksasit është shpallur ora policore, derisa Harvey i ka lënë disa pjesë të tij nën ujë.
Zyrtarët thanë se ora policore është imponuar për afat të pakufizuar, për t’i parandaluar plaçkitjet në hapësirat e evakuuara. Të reshurat e mëdha, që mesatarisht arrinin lartësinë prej 125 centimetrash, jashtë qytetit Hjuston, kanë shkaktuar vërshime të paprecedente, duke i detyruar dhjetëra mijëra vetë që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke u vendosur në strehimore, stadiume, kisha dhe objekte të tjera.
Katër ditë pasi Harvey e goditi bregun si uragan i kategorisë së katërt, autoritetet dhe banorët kanë raportuar për së paku 18 vetë të vdekur nga kjo stuhi. Gjatë vizitës së djeshme në pjesën juglindore të shtetit Teksas, presidenti amerikan, Donald Trump, vlerësoi se katastrofa ishte “me përmasa epike”.
ma.me