Madje 31-vjeçari kishte zhvilluar një seancë stërvitore nën urdhrat e trajnerit Bledar Devolli dhe pritej që të firmoste kontratën për sezonin e ardhshëm në ditët në vijim. Për të treguar seriozitetin e tyre, ballshiotët mësohet se i kanë dhënë lojtarit edhe një këst pagese kur ai ka dalë në stërvitje dhe në këtë mënyrë e konsideruan lojtarin pjesë të tyren. Por, dje futbollisti ka vendosur që të mos qëndrojë te Bylisi në Kategorinë e Parë.
Burime të gazetës kanë bërë me dije dje lojtari ka kthyer sërish këstin e marrë në klub dhe ka vendosur të largohet. Një gjë të tillë e ka bërë lirshëm, duke qenë se nuk kishte firmosur asnjë kontratë.
Ndërsa te skuadra e Bylisit kanë mbetur disi të befasuar me këtë lëvizje të Kuqit. Ndërsa vetë lojtari, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, është shprehur: “Nuk kam vendosur ende asgjë për të ardhmen. Vazhdoj të jem në bisedime me disa ekipe dhe shumë shpejt do të zyrtarizoj ekipin ku do të luaj”.
BISEDIMET
I larguar nga Flamurtari, mbrojtësi duket se do të vazhdojë të mbetet në Kategorinë Superiore. Dhe, pas largimit nga Bylisi, mësohet se ai nuk ka humbur shumë kohë, pasi gjatë mesditës së djeshme është parë në ambientin e klubit të Kamzës.
Lojtari është në bisedime me drejtuesit kryeqytetas dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të firmosë për sezonin e ardhshëm me ekipin që është rikthyer pas disa viteve mungesë në elitën e futbollit shqiptar.
Pritet që trajneri Ndreu të thotë fjalën e tij të fundit në lidhje me futbollistin. Kuqi ka eksperiencë në futbollin vendas, pasi ka luajtur me disa ekipe në Kategorinë Superiore. Te Kamza lojtari do të ishte një alternativë e mirë për repartin e mbrojtjes.