Një 28-vjeçar nga qyteti i Elbasanit ka përfunduar në prangat e policisë, pasi u kap me armë pa leje. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë, Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Erion Çapja, 28 vjeç, banues në Elbasan.
Pas ndalimit dhe kontrollit fizik edhe në automjet, rezultoi se 28-vjeçari mbante me vete një armë zjarri pistoletë me mulli me 6 fishekë të kalibrit 9 mm. Kjo solli si rrjedhojë arrestimin në flagrancë të tij, me akuzën “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Përveç armës, policia, gjithashtu sekuestroi edhe automjetin që drejtohej nga shtetasi Erion Çapja.
Nisur nga ngjarjen e fundit, ku janë përfshirë anëtarë të fisit Çapja, Policia mban vazhdimisht nën kontroll pjesëtarët e saj. Sa i takon rastit të kapjes me armë të Erion Capjas, Policia thotë se arrestimi i tij është bërë gjatë një kontrolli rutinë.
Nga ana tjetër, sqarohet se nuk ka të dhëna se 28-vjeçari po përgatiste ndonjë akt kriminal, por armën e mbante për t’u vetëmbrojtur, kjo për shkak të një konflikti të nisur në vitin 2005, mes Agron Çapjas dhe disa të rinjve, po nga qyteti i Elbasanit.
Pas kësaj, nisi një seri hakmarrjeje që ka sjellë me dhjetëra viktima. Ngjarja më e fundit është ajo e shkurtit të vitit 2016, ku mbetën të vrarë katër persona nga fisi Çapja dhe tetë të tjerë u plagosën.