Uragani Harvey goditi Teksasin të premten vonë, duke përfshirë një pjesë të gjerë të Gjirit me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm, në stuhinë më të ashpër që ka goditur Shtetet e Bashkuara në më shumë se dhjetë vjet.
Qendra Kombëtare e Uraganeve, tha se syri i uraganit të kategorisë së 4-të, goditi bregun rreth 48 kilometra në verilindje të Corpus Christit, duke shkaktuar erëra të fuqishme me shpejtësi prej 209 kilometrash në orë dhe shira përmbytës.
Uragani bëri që dhjetëra mijëra njerëz të ikin nga zona e Gjirit më shpresë që të shmangin tërbimin e stuhisë së rrezikshme që po kërcënon një zonë të Teksasit, duke përshirë rafineritë e naftës, industritë kimike dhe përmbytjen e Houstonit, qytetit të katërt më të madh të vendit.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott, kishte paralajmëruar se stuhia e përbindshme do të ishte “një fatkeqësi shumë e madhe”, dhe parashikimet nxirrnin krahasime të frikshme me uraganin Katrina, një nga më vdekjeprurësit që ka goditur Shtetet e Bashkuara.
Tashmë ka pasur raporte për dëme në qytetin Rockport me rreth 10 mijë banorë i cili ishte në qendër të goditjes së uraganit Harvey.
I ngopur me ujërat e ngrohta të Gjirit të Meksikës, Harvey u rrit shpejt nga nga kategoria I-rë që ishte në mëngjesin e së premtes në kategorinë e 4-të në mbrëmje. Shndërrimi i tij nga një stuhi pa emër në një stuhi kërcënuese për jetën mori vetëm 56 orë, një rritje kjo jashtëzakonisht e shpejtë.
Harvey goditi bregun si uragani më i ashpër në Shtetet e Bashkuara në 13 vjet dhe më i fuqishmi që goditi Teksasin që nga uragani Carla në vitin 1961. Gjykuar nga trysnia atmosferike, Harvey radhitet si stuhia e 18-të më e ashpër që ka goditur Shtetet e Bashkuara që nga viti 1851 dhe e nënta më e fuqishmja në Teksas.
Uraganet fillojnë të dobësohen kur hyjnë në tokë, por parashikuesit thonë se kësaj here, kjo stuhi do të ndjekë një drejtim të pazakonshëm; do të qëndrojë për pak çaste në tokë, pastaj do të kthehet prapë në det, për t’u kthyer për së dyti, në vendet në pjesët e ulëta të bregdetit”.
Gjatë tre ditëve të ardhshme, uragani Harvey do të derdhë 100 centimetra shi në një hapësirë të madhe të Teksasit.
Stuhia paraqet sprovën e parë për menaxhimin e emergjencave për administratën e presidentit Donald Trump, i cili nënshkroi dokumentin që ofron ndihmën e plotë që qeverisë për zonën e goditur./VOA
a.ç