Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë 30 milionë euro Ujësjellësin e Tiranës për të bërë të mundur furnizimin e kryeqytetit me ujë 24 orë në 24. Kredia do të disbursohet në dy këste nga 15 milionë euro.
Sipas njoftimit zyrtar të BERZH-it, transhi i parë i kredisë do të përdoret për të zgjeruar kapacitetin e Ujësjellësit të Bovillës dhe për ndërtimin e një tubacioni të ri, i cili do të furnizojë me ujë pjesën veriore të Tiranës.
Përdorimi i këstit të dytë do të përcaktohet pasi Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të përfundojë studimin mbi burimet e saj strategjike. Ky studim do të përzgjedhë alternativat më eficente të investimeve, për të zgjidhur përfundimisht mungesën e ujit në Tiranë.
Sipas BERZH-it, synimi i projektit është të ndihmojë Ujësjellësin në ndërtimin e një sistemi më të qëndrueshëm të furnizimit me ujë në Tiranë, për të arritur objektivin e furnizimit 24 orë brenda vitit 2021.
Këtë verë, kryeqyteti u përball me një situatë të vështirë të furnizimit me ujë të pijshëm, për shkak të thatësirës së gjatë dhe rënies së nivelit në basenin e Bovillës. Bashkia e Tiranës ka lajmëruar se do të marrë rreth 180 milionë euro kredi për të financuar investimet në sistemin e Ujësjellës-Kanalizimeve, të cilat do të garantojnë furnizim me ujë 24 orë në ditë për qytetarët. /b.d