Manchester United njofton se Zlatan Ibrahimoviç do të vazhdojë udhëtimin me klubin e tij dhe ka nënshkruar kontratë njëvjeçare. Ai do të veshë fanellën me numrin 10, transmeton Koha.net.
Ibrahimoviç, 35 vjeç, bëri 46 paraqitje dhe ka shënuar në total 28 gola për klubin gjatë sezonit 2016/17 para se të lëndohet në gju, gjë që e detyroi të përfundojë sezonin para kohe. Zlatan ka fituar kampionatet në katër ligat e ndryshme që nga fillimi i karrierës së tij profesionale me Malmo në vitin 1999.
“Jemi të kënaqur që Zlatan është gati të shërohet dhe jemi të kënaqur që e kemi ambicien edhe eksperiencën e tij me ne. Kontributi i tij në sezonin e fundit e meriton besimin tonë dhe ne do të kemi durim deri në rikthimin e tij. Nuk kam asnjë dyshim se ai do të jetë i rëndësishëm në pjesën e dytë të sezonit”, ka thënë Jose Mourinho.
“Jam kthyer për të përfunduar atë që kam filluar. Gjithnjë ishte qëllimi im dhe i klubit që unë të qëndrojë. Mezi pres që të kthehem në fushën e Old Traffordit, por gjithashtu më duhet pak kohë që të sigurohem se jam i gatshëm. Kam punuar shumë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në mënyrë që të sigurohem se jam në gjendjen më të mirë të mundshme për rikthimin tim në fushë”, është shprehur Zlatan Ibrahimoviç. (b.an)