Enno Bozdo, Sekretari Organizativ i PD-së, e sheh si shqetësuese situatën brenda PD-së pas humbjes së thellë të 25 qershorit, por jo të pariparueshme. Ai përmes “Gazeta Shqiptare” shpreh besimin se PD-ja do të ringrihet shumë shpejt dhe se do të rikthehet në ditët e saj më të mira.
Por ai këshillon liderin Lulzim Basha që të nxjerrë nga stoli rezervë më të aftët, t’i nxjerrë në vijën e parë të përballjes.
Sipas tij, PD-së nuk i duhen kacavjerrësit dhe klounët, por njerëzit me integritet të lartë shoqëror, profesional dhe karakterial.
“Dhe këta njerëz PD-ka i ka. Madje jo pak. Dhe nuk e ka më luksin t’i mbajë në stolin rezervë. Jo më! Tashmë duhet t’i nxjerrë në vijë të parë të përballjes”, shprehet z. Bozdo.
Bozdo, si e konsideroni raportin përfundimtar të ministrave teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit?
Ashtu siç edhe pritej. Një dokument real dhe faktues se zgjedhjet ishin shumë larg të qenit të drejta dhe të ndershme dhe se vullneti i zgjedhësve është transformuar. Për të freskuar kujtesën e lexuesit, më duhet të përmend se Raporti i OSBE/ODIHR-it arriti ekzaktësisht në të njëjtin përfundim. Këto zgjedhje janë zgjedhjet më të manipuluara në historinë e pluralizmit shqiptar. Nëse zgjedhjet e vitit 1997 mbajnë rekordin e vjedhjes në tavolinë (atje ku u zhvilluan), 20 vite më vonë kemi zgjedhje ku manipulimi me të gjitha format arriti në pikën kulminante të tij. Situatë shumë dramatike nëse e konsideron brenda kontekstit historik. Tutje rezultatit në zgjedhje, PD-ja ka detyrimin përpara shqiptarëve të shpjegojë me hollësi sesi zgjedhjet u manipuluan dhe përse Edi Rama është përgjegjës. Në fakt, kjo gjë duhej bërë sistematikisht gjatë fushatës elektorale. Mund dhe duhej bërë përgjatë javëve që pasuan zgjedhjet. Mund dhe duhet bërë edhe tani. Shpresoj që kjo të ndodhë së shpejti, sa pa u mbyllur përfundimisht ky kapitull, pavarësisht buzëqeshjes së Edi Ramës!
Si mund të vidhen votat kur PD-ja për t’i mbrojtur ato, vendosi ministrat e saj teknikë?
Asnjë ministër, aq më tepër teknik, nuk mund të mbrojë vota kur ekziston vullneti madhor për të blerë dhe manipuluar votat, nga një aparat kompakt shtetëror, në aleancë të dukshme me krimin e organizuar, mbështetur me burime thuajse të pakufishme fi nanciare. Ministrat teknikë (siç edhe vetë emërimi i tyre tregon), ishin aty për të mundësuar, brenda mundë- sive që pozicioni dhe rrethanat ofrojnë, standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për të kuptuar rolin e tyre më duhet t’ju kujtoj se, në qoftë se nuk do të ishin këta ministra, atëherë edhe disa standarde të pakta të arritura, nuk do të mundë- soheshin. Është e kotë të merresh me performancën e ministrave teknikë kur qeveria ishte e përbetuar për t’i manipuluar zgjedhjet. Kjo është njësoj sikur të fajësosh dëshmitarin e krimit dhe jo kriminelin përgjegjës për krimin. Të paktën dëshmitari i ra bilbilit, dhe ndërkombëtarët i besuan atij.
As marrëveshja ‘Rama-Basha’ nuk e mbrojti dot votën e 25 qershorit. Sipas jush, për cilat arsye?
Asnjë marrëveshje nuk do të mund ta mbronte dot blerjen e zgjedhjeve, kur vullneti nuk ekziston. Kush e ka besuar këtë, është thjesht naiv. Edhe ju që pyesni, e dini se kjo do të ishte e pamundur. Nuk mund të mbrohesh me marrëveshje ndaj një kundërshtar i cili kishte minimalisht 9 muaj që kishte ngrehur si çark një aparat të tërë të blerjes së votës, të presionit ekonomik ndaj votuesit, të frikësimit, madje edhe fizik, të kundërshtarit politik. Brenda kushteve ku u ndërtua marrëveshja, njëra palë e saj, PD-ja, u mundua në maksimum të realizonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për hir të stabilitetit të vendit PD-ja hyri në zgjedhje. Pala tjetër, PS-ja, “gëlltiti” çdo premtim dhe fjalë të thënë në marrëveshje. Mendimi im personal është që, në çdo rrethanë PD-ja nuk mund t’i bojkotonte zgjedhjet. Por tjetër është të përpiqesh dhe tjetër është të besosh se marrëveshja do të ishte zgjidhja përfundimtare kundër blerjes dhe manipulimit të votës. Janë dy gjëra thellësisht të ndryshme.
PD-ja dhe kreu i saj po përballet edhe me problemet brenda vetes. Sulmi i kritikëve ndaj Lulzim Bashës, sipas jush, vjen si pasojë e humbjes së privilegjeve të tyre apo sepse ka vërtet diçka që nuk funksionon siç duhet në drejtimin e PD-së?
Këtë nuk e di, sepse nuk e lexoj dot mendjen e kurrkujt. Edhe po të nisesh nga retorika e përdorur, përsëri është shumë e vështirë të ndash sulmin personal nga kritika e ndershme dhe e drejtë. Të gjithë jemi shumë të shqetësuar për PD-në, por jo të gjithë përdorim të njëjtën gjuhë dhe sjellje për të shfaqur këtë shqetësim! Siç e kam thënë edhe më parë, pas këtyre zgjedhjeve nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe sikur kjo është një humbje normale në historinë e një partie politike. Nuk është e tillë, për fat të keq. Është një humbje që ka lënë një gjurmë të thellë jo thjesht brenda demokratëve, por edhe në procesin historik të balan cimit të pushtetit si dhe në ekuilibrat socialë të vendit. Por çfarë do të bëjmë? Do të vazhdojmë të qahemi dhe të drejtojmë gishtin emocional ndaj njëri-tjetrit, apo do t’i thërrasim maturisë dhe ndershmërisë për të kuptuar realisht ku u gabua, përse u gabua, çfarë duhet të bëjmë që kurrë më gabime të tilla të mos ndodhin. E di se është e lehtë ta thuash dhe e vështirë (shumë e vështirë madje) ta realizosh. Por këtu do të duket nëse PD-ja ka vërtet “genin e Feniksit” – shpirtin e madh të ringritjes, siç e ka treguar në situata të ngjashme, apo rrethanat (edhe ato historike) ia kanë mpirë dhe topitur krenarinë dhe aftësinë e saj për të reaguar. Prandaj, më lejoni t’i rikthehem edhe një herë pyetjes tuaj: nuk më intereson aspak retorika sulmuese dhe arsyet e saj. Më intereson çfarë do të bëjmë, të gjithë bashkë, për ta ringritur PD-në. Historia, vite apo dekada më vonë, do të na gjykojë pikërisht për këtë gjë. Do të jetë shumë e vështirë t’i shpjegoj nipit apo mbesës sime përgjegjësinë personale ndaj PD-së. Nuk mjafton të thuash se “ua thashë, i kritikova publikisht dhe mediatikisht, por nuk më dëgjuan”. Këto janë fjalë dhe fjalët i merr era. Veprimet kanë rëndësi. Ato do të peshojnë nesër. PD-ja do të rikthehet në madhështinë e saj të merituar. Unë njoh veten dhe kolegët e mi. Jemi gati për çdo sakrificë që PD-ja të rikthehet në ditët më të mira të saj.
Kundrejt kësaj që thoni, a po rrezikon PD-ja të përçahet dhe si mund t’i shpëtojë copëzimit të saj?
PD-ja nuk duhet të shqetësohet më shumë se ç’duhet për këtë gjë. Uniteti me çdo kusht nuk është qëllim në vetvete. Çfarë na duhet një PD unitare kur ajo nuk ka më mundësi të fitojë?! PD-ja nuk është në funksion të vetes, sesa në funksion të fitores dhe qeverisjes së vendit. Ajo për të cilën PD-ja duhet të shqetësohet është perceptimi se PD-ja nuk ka mundësi të fitojë e vetme zgjedhjet. Perceptimi, por jo realiteti! Teza se PD-ja ka hyrë në një cikël të dobësisë kronike afatgjatë, është një tezë ku kundërshtari ynë politik po investon mjaft. Në fakt, kjo përbën edhe vetë thelbin e kësaj situate shqetësuese. Lidershipi i PD-së duhet të bindë, duhet të tregojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se në këtë 4-vjeçar do të lidhë aleancë shumë të fortë jo vetëm me njerëzit e saj, por me qytetarët në përgjithësi. Dhe këtu nuk mjafton thjesht mesazhi që PD-ja jep. Më i rëndësishëm se mesazhi, është mediumi, apo përcjellësi i mesazhit. Në qeverisjen e vendit, PDja ka treguar se zotëron 10, 20 apo 100 herë kapacitete njerëzore dhe aftësi qeverisëse më të mira se kundërshtarët e saj politikë. PD-ja duhet të tregojë se ka brenda saj individë të cilët do të jenë të aftë të fitojnë zgjedhjet dhe të qeverisin nesër, duke e nxjerrë këtë vend nga dëshpërimi neurotik ku Edi Rama e ka futur. Duhet të tregojë që ka njerëz që bindin opinionin publik për shkak të staturës së tyre. Njerëz që kanë dhënë prova se kanë qeverisur mirë dhe me ndershmëri.
Se kanë ndërmarrë reforma në të mirë të vendit. Se janë të ndershëm dhe me integritet. Se mund t’i shohin shqiptarët në sy dhe t’ua kërkojnë votën në emër të PD-së, pa iu dridhur zëri dhe qerpiku. Se janë qytetarë të klasit të parë dhe jo kacavjerrës dhe kloun. Dhe këta njerëz PD-ka i ka. Madje jo pak. Dhe nuk e ka më luksin t’i mbajë në stolin rezervë. Jo më! Tashmë duhet t’i nxjerrë në vijë të parë të përballjes.
Pas gjithë këtij debati dhe sulmeve që vazhdojnë sërish, çfarë është në favor të Lulzim Bashës aktualisht dhe çfarë është kundër tij?
Koha është në favor të Lulzim Bashës. Eksperienca e fituar nga kjo fushatë është përsëri në favor të tij. Sigurisht, në qoftë se do të arrijë t’i kthejë në mënyrën e duhur në kapital politik.
Sepse koha është aleate nazike dhe e pamëshirshme; ajo rrjedh pandashmërisht. Besoj se Lulzim Basha do të dijë të marrë më të mirën e saj. Besoj realisht se kjo gjë do të ndodhë.
Në çfarë gjendjeje janë strukturat e partisë në mbarë vendin dhe si do të fuqizohen ato?
Strukturat janë aty. Janë ata njerëz që organizuan protestat më të mëdha qytetare në këto katër vitet e fundit. Janë po ata njerëz të ‘Çadrës së Lirisë’ që mbajtën 90 ditë dhe net, pa pushim, një protestë të paprecedentë në historinë shqiptare. Por strukturat janë si drunjtë në një vatër; janë aty, por kanë nevojë për zjarrin. Që këtë zjarr ta marrin dhe të rrezatojnë gjithkund. Duhet ndezur zjarri i besimit në fitore.
Grupimi anti-Basha kërkon zgjedhje të reja të PD-së, por realisht, kur do të ketë zgjedhje të reja brenda kësaj partie? A ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të parakohshme në PD?
Zgjedhjet nuk janë qëllim në vetvete, madje as respektimi në letër i afateve statutore në dëm të cilësisë së procesit. Rëndësi ka procesi. Besoj se të gjithë biem dakord së pari se, kërkohet analizë e ndershme dhe gjakftohtë, nëpërmjet një dialogu të vërtetë mes nesh. Më pas do të duhet të merren dhe të vihen në zbatim masat organizative që do të rekomandohen nga kjo analizë. Dhe më pas zgjedhjet e organeve të PD-së. A do të quhen këto të parakohshme apo të paskohshme, a do të ndodhin këto përpara apo pas afateve statutore, kjo ka pak rëndë- si për sa kohë sigurohet cilësia e procesit.
Si mund të ringrihet PD-ja pas humbjes së thellë të 25 qershorit?
Përballë kemi shqiptarët, të cilët kanë humbur besimin se ky vend do të bëhet. Pra PD-ja është përballë një situate alarmante shoqërore. Shqiptarët kanë nevojë urgjente të besojnë se ky vend mund dhe duhet të bëhet. Nuk ka sot asnjë forcë tjetër politike apo parapolitike, asnjë organizatë tjetër që mund ta nxjerrë Shqipërinë nga neuroza e dëshpërimit dhe e mungesës së shpresës. Vetëm PD-ja mund ta realizojë këtë. Dhe ky është bekim për PD-në, por edhe përgjegjësi shumë-shumë e madhe. Tejkalon çdo përgjegjësi individuale kundrejt familjeve tona dhe miqve tanë. Shqiptarët duan të besojnë, janë të etur të besojnë se ky vend bëhet. Por kanë nevojë për prova, sepse nuk mjafton aspak t’ua thuash këtë nga mëngjesi deri në darkë. Nuk mjafton aspak! Është shumë i rëndë- sishëm individi apo grupimi i individëve që përcjell këtë mesazh, medium pra, dhe që në këto rrethana është ndoshta po aq i rëndësishëm sa edhe vetë mesazhi. PD-ja ka brenda saj individë me integritet të lartë shoqëror, profesional dhe karakterial. I ka vërtet. Duhet t’i përdorë në maksimum. Duhet t’i angazhojë si dishepujt që shpërndanë lajmin e mirë. PD-ja duhet të përcjellë frymë, dhe fryma kërkon grup dhe skuadër!
Pas dorëheqjes së ministrave teknikë, në detyrë vazhdojnë të qëndrojnë kreu i KQZ-së dhe Avokatja e Popullit. A i takon drejtimi i tyre opozitës? Duhet t’i mbajë sërish këto dy institucione PD-ja?
Në dijeninë time, kreu i KQZ-së dhe Avokati i Popullit janë zgjedhur në respektim të normave dhe procedurës ligjore. Pra, procesi i zgjedhjes ka qenë më se i rregullt, me respekt të ligjit dhe Kushtetutës. A do ta respektojë këtë vullnet Edi Rama edhe më tej? Në maj u zotua se do ta respektojë, por ai i ha lehtësisht fjalët e tij, pa e zënë meraku aspak. Pra nuk e di çfarë do të ndodhë. Koha do ta tregojë!
A ekziston mundësia e një aleance me LSI-në brenda dhe jashtë parlamentit?
Deri më sot një gjë është e sigurt: PD-ja u votua për të qenë opozitë, të tjerët jo! Dhe nëse një ditë nuk ndodhesh në qeverisje, kjo nuk do të thotë se je automatikisht në opozitë. Opozita është edhe moral edhe integritet. Dhe morali e integriteti kërkojnë kohë dhe prova për t’u konsoliduar.
a.ç