Nga Indro Montanelli
Kam një tregim në kokë që nuk arrij ta shkruaj, është një ëndër që duke u plakur më kthehet gjithnjë e më shpesh. Jam unë, ngjit në këmbë kodrën që më çon drejt vilës, në mes të pyllit…. Kur isha fëmijë, pylli , në mes dy kënetave të Fucecchios dhe të Bientinës, ishte mbretëria ime. Arrij deri tek porta e vilës, tashmë është një kopësht me qershi. Hyj, i bie ziles dhe vjen ma hap vetja ime që ka mbetur aty. i njëjtë me mua, vetëm më i plakur. Më thotë: «Cfarë do?». Dhe unë i them: «Dua të hy». Thotë që nuk kam të drejtë. «Ti u largove, pate një jetë të bukur, suksese, aventura, gra. Këtu mbeta unë. I shikon rrudhat e mia ? Janë të njëjta me të vilës. Shikoji, tjegullat bien, ka të çara në mure. Kam mbetur vetëm, nuk kam asnjë mjet, por unë e mbroj këtë kopësht qershishë.
Kjo është bota ime, ti nuk mund të hysh, nuk i përket më kësaj bote».
Shqiperoi Brizida Gjikondi