Nga Ervin Qafmolla
Kur një grua konsiderohet prostitutë? Dhe kur ajo është rrospie dhe kurvë?
Përgjigjet për këto pyetje kaq direkte mund t’i gjeni të zhvilluara edhe nga disa imamë kosovarë, të cilët pasi zgjidhën të gjitha çështjet themelore të besimit dhe sfidave të tij moderne, siç janë keqkuptimet madhore të vlerave fetare dhe ekstremizmi i dhunshëm (apo nuk i kanë zgjidhur?), kanë ca kohë që kanë përveshur mëngët për të futur duart e turinjtë në çështjen e lashtë dhe mistike të virtytit femëror.
Së fundmi, ishte hoxha kontrovers Shefqet Krasniqi, ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, i cili tha se gratë që shkojnë në plazh i konsideronte prostituta. Në një reagim publik të pak ditëve pas publikimit të videos së tij nga portale në Kosovë dhe Shqipëri, ai i përgënjeshtroi artikujt duke pretenduar se ishte deformuar kuptimi. Por nuk tha se çfarë kishte nënkuptuar duke përdorur në të njëjtën fjali termat “femra” dhe “prostituta”. Ata që kanë dyshime le ta shohin vetë videon.
Nevojitet një qartësim për Krasniqin dhe ndjekësit e tij. Në fjalor “prostitutë” është një person, zakonisht grua, e cila përfshihet në akte seksuale në këmbim të pagesës. Mbi cilat baza, Krasniqi ngre këtë akuzë? Për faktin e thjeshtë se në plazh ka shfaqje të trupit të zhveshur, çka është e ndaluar në Islam? Në këtë pikë, ai duhet të ishte mjaftuar të përmendte fjalën “haram”, dhe do kishte thënë të vërtetën brenda kontekstit fetar. Çfarë provash ka hoxha se gratë që shkojnë në plazh mund të konsiderohen si persona që përfshihen në seks kundrejt pagesës?
Dikush mund ta mbrojë duke thënë se ky term është përdorur për të nënkuptuar diçka tjetër, e cila mund të jetë një fjalë edhe më e papërshtatshme. A është kjo fjala “kurvë” që hoxhës nuk ia lejonte etiketa ta përdorte në publik? Sërish, sipas fjalorit, “kurvë” është një term përkeqësues që përshkruan një grua që ka shumë partnerë seksualë rastësorë. Gjithashtu, në kuptimin më të gjerë nënkupton edhe prostitutë. Çfarë provash ka sërish hoxha Shefqet se ato që shkojnë në plazh kanë shumë partnerë seksualë rastësorë?
Ndërsa të dyja rrethanat konsiderohen si mëkate në Islam, sërish ato nuk përbëjnë të njëjtin mëkat, sikurse vetë fakti që ekspozimi i trupit në plazh nuk është mëkat i njëjtë me ato që hoxha pretendon. Jo vetëm si teolog, por thjesht si burrë i rritur, Krasniqi nuk ka si të mos i dijë këto. Ndaj hoxha ka gënjyer, duke u vendosur grave që shkojnë në plazh barrën e një mëkati për të cilin ai është i paaftë të prodhojë ndonjë provë.
Gjithashtu, si i bëhet për ato gra që shkojnë në plazh me burrat dhe fëmijët? Apo ato që mund të jenë ende të virgjëra? Cili është prostitucioni i tyre? Në këto raste, akzuat e hoxhës nuk janë thjesht gënjeshtra e spekulime, por kualifikohen në nivelin e shpifjes. Gënjeshtra dhe shpifja janë të dyja mëkate në Islam, por gjithshtu, kanë peshë të ndryshme ku e dyta paraqitet mëkat më i rëndë se e para (80 kamzhikë është ndëshkimi për një shpifje të tillë në dëm të një personi të vetëm sipas Sheriatit).
Krasniqi, i ndjekur nga mbi 168 mijë në Facebook dhe nga shumë të tjerë në videot e tij në YouTube, në intervistën e tij tha se i duhej të përmbante veten ngaqë po fliste në televizion “se kisha folë fjalë hala ma të randa”. Cilat fjalë më të rënda mund të fliste hoxha?
Këtu mund të na vijë në ndihmë kolegu i tij nga Prizreni, hoxha Irfan Saliu, i cili nga foltorja e një xhamie përdori disa herë togfjalëshin “rrospie dhe kurva” për gratë që kishin pasur seks paramartesor. Në një fjalim plot mllef drejtuar burrave të rinj, ai u bënte thirrje atyre të mos mashtroheshin nga gratë e përdala (të çvirgjëruara) duke u martuar me dikë që ishte “rrospie dhe kurvë”. “Pasha Allahun o vëllezën të mi, lenie këtë bërllog të femnave”, këshilloi Salihu. “Këto rrospia dhe kurva që bëjnë akt intim pa kunorë, këto leni… se dikush e ka pas kodin para teje, e ke marrë të dekodume… line bërllogun jashtë”.
Salihu nuk ngurroi t’i krahasonte gratë jo të virgjëra me sende të ndryshme në situata poshtëruese. “A e merr mindilin [shaminë] e dikujt që i ka fshi qyrret me të me i fshi edhe ti”? Në videon prej 7 minutash, ai përdor me dhjetëra herë termin “përdor”, për vetë gratë apo për sende me të cilat i krahason, përfshi këtu goma të përdorura, lugë të përdorura, brava veturash etj.
Në mënyrë ironike videoja përmbyllet me sloganin “Islami feja e vërtetë”. A thua Profeti Muhamed mbante fjalime të tilla publike dhe poshtëruese duke i quajtur gratë që kishin kryer seks paramartesor “rrospie dhe kurva”, duke i krahasuar më tej me sende dhe duke i bërë thirrje besimtarëve t’i nxirrnin jashtë si bërllog [plehra]? A përdorte vërtet Muhamedi një gjuhë të tillë?
A është i lejuar në Islam, krahasimi i njerëzve me sende, aq më tepër në situata të ulëta e të pështira, qofshin këta mëkatarë apo jo? Dhe çfarë ndodh me mëshirën dhe pendimin? Në ligjëratën e tij, Salihu nuk lë vend as për pendimin e sinqertë të besimtarit e as për mëshirën e pakufishme të Zotit, siç përshkruhen në raste të panumërta nga Kurani, Profeti Muhamed dhe dijetarët e shumë myslimanë.
A ka vend këtu për të pyetur në mos hoxha ka bërë një mëkat të rëndë në nivel besimi, duke ua mbyllur njerëzve dyert e pendimit?
Gjithashtu, atë fjalor rrugaçësh që ai e përdor në xhami, nuk e përdorin as klientët e as “rrospiet dhe kurvat” në bordello, sepse ato mund të kenë më shumë respekt për veten dhe për vendin e tyre të punës nga sa ka hoxha për veten e tij dhe për xhaminë.
Është tronditës ky shfrenim, kjo shthurje e disa imamëve kosovarë, por është të paktën po aq tronditës mosreagimi i institucioneve të Kosovës ndaj keqbërjeve të tilla dhe përdorimit të hapur të gjuhës poshtëruese e të urrejtjes ndaj qytetareve të këtij vendi. Edhe më tronditëse është heshtja e imamëve të tjerë, të cilët duke mbyllur gojën, veçse i përligjin ligjërata e mendësi të tilla të përdala.
Nga ana tjetër, është e pashmangshme të mos vërehet një diskriminim në trajtimin e mëkatarëve të hamendësuar. Islami ka kufizime të kodit të veshjes si për gratë, ashtu dhe për burrat, por Shefqet Krasniqi zgjodhi të theksonte rastin e “femrave”, duke i konsideruar ato prostituta e jo “meshkujt”. Gjithashtu, kuvërimi konsiderohet mëkat serioz në Islam, por imoraliteti trajtohet i njëjtë për të dyja gjinitë. Megjithatë, Irfan Salihu i quajti “rrospie dhe kurva” pothuajse vetëm gratë, dhe vetëm në një rast përmendi edhe amoralët meshkuj por me termin shumë më të butë “zinaqar”.
Pse u intereson kaq shumë kurvërimi femëror dhe jo ai mashkullor, këtyre burrave? Pse mungesa e virgjërisë, teknikisht e pakonstatueshme te meshkujt, përmendet si mëkat apokaliptik vetëm për gratë? Përmes këtij mllefi diskriminues, imamët nuk kanë cenuar thjesht normat konvencionale për barazi gjinore, por vetë parimet e Islamit. Ata janë shpifës, frikacakë dhe shembulli më i keq sesi (nuk) duhet të sillet një klerik. Ata nuk vlejnë as të konsiderohen burra, sepse burrat e vërtetë nuk shkojnë poshtë e lart duke përgojuar gratë me fjalët më të ndyra që u përmban fjalori. Këto jargavitje e qyrre urrejtjeje që i vërtiten publikut pa teklif, janë akti më i lodhur dhe banal i stereotipit të “mashkullit të egër shqiptar”.
Të tillët mund të jenë klerikë, mjekë, profesorë apo punëtorë të thjeshtë, por kanë të përbashkët egërsinë që u buron nga rrethanat e ngjizjes së tyre shoqërore. Ata janë shpesh pasqyrë e familjeve ku gratë rrihen e nënçmohen, ku ato “përdoren” në fjalët e hoxhës. Dhe meqë spekulimi publik mbi rrethana intime tashmë është shpallur “hallall” nga dy klerikët, le ta çojmë këtë përrallë një hap më tej në dritëhijet e “haramit”.
Ku i dihet, disa prej meshkujve të egër që njohim – ndoshta jo hoxhët në fjalë – mund të jenë edhe fryt i seksit me forcë në martesa me detyrim, ku në mënyrë që ndonjë prej tyre të vijë në këtë botë, babait i është dashur t’i përdhunojë nënën. Në një kontekst faktik, vlen të dihet se në Islam një martesë nuk mund të realizohet përveçse me aprovimin e lirë të gruas, çka i parandalon disa prej mynxyrave të tilla.
Këto pra janë disa përshkallëzime turbulluese në nivel të spekulimeve burracake të mizogjinëve që mbajnë petkun e klerikut. Janë pjesë e rrenës morale që disa e quajnë “krenari e shqiptarit”, apo që disa të tjerë tentojnë ta etiketojnë si “krenari e myslimanit”.
Këto janë vetëm turpe e neveri që shiten si vlera kombëtare e fetare nga disa individë që për shkak të shoqërive vegjetale ku jetojmë, vazhdojnë ende sot të quhen “hoxhë” dhe të flasin në emër të Islamit e myslimanëve.