Shqiptarët po zgjedhin gjithmonë e më të shumtë të kalojnë pushimet verore jashtë vendit.
Vetëm për muajin Korrik, kanë qenë 496 mijë shtetas që kanë dalë nga territori i vendit, një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë.
Rritja përkon me ndryshim pozitiv edhe në terma vjetorë, ku daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur me 4.9%.
Destinacionet në rritje për pushimet duke se kanë qenë Italia dhe vendet e tjera të aksesueshme në rrugë ajrore dhe detare, të cilat ofrohen shpesh në paketa turistike: vende si Turqia, Egjipti, etj.
Falë edhe shtimit të një sërë linjash low-cost, numri i shqiptarëve që kanë fluturuar jashtë vendit ka qenë rreth 127 mijë, një rritje e konsiderueshme me 35.7% krahasuar me Korrikun e shkuar. Aktualisht numri i daljeve në rrugë ajrore shënon një rritje vjetor për periudhën Janar-Korrik në 27.6%, me rreth 150 mijë pasagjerë më tepër se një vit më parë, shkruan “Scan”.
Po ashtu në rritje me 34.2% është edhe numri i shtetasve që kanë lëvizur me anije ose tragete. Ky numër arriti në 88 mijë pasagjerë.
Gjithsesi, rrugët tokësore mbeten mënyra e preferuar e udhëtimit, kryesisht për shkak të vizitave në vendet fqinje si Kosova, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Kjo kategori ka shënuar një rritje minimale prej 2.2%. /b.d