Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, David McAllister ka thënë se është tejet e rëndësishme normalizimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe kjo sipas tij nënkupton vazhdimin e dialogut. McAllister në një intervistë për “Deutsche Welle”-s, tha se fatkeqësisht nuk ka përparim në dialog për shkak të situatës politike në Prishtinë.
“Më i rëndësishmi është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, që do të thotë vazhdimi i dialogut mes të dy palëve. Për fat të keq aktualisht nuk ka përparim në dialog, për shkak të situatës së paqartë politike në Prishtinë. Dialogu siç formulohet nga BE, do të thotë që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, të munden të vazhdojnë rrugën evropiane, pa bllokimin nga njëri ose tjetrit në këtë proces”, tha ai.
Raportuesi për Serbinë në PE duke folur për procesin integrues të Serbisë në BE tha
“Të gjitha kushtet ligjore, politike dhe ekonomike duhet të plotësohen për t’u bërë anëtar në BE. Është e nevojshme të mbyllen të 35 kapitujt që kanë ngelur të hapur – domethënë, në fund të gjitha kushtet për integrim janë njëlloj të rëndësishëm. Korniza e negociatave me Serbinë megjithatë duhet të përqendrohet në veçanti tek kapitujt 23 dhe 24 – për sundimin e ligjit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën në kapitullin 35. Kapitujt janë hapur më herët, në mënyrë që të ketë më shumë kohë për zbatimin e vendimeve të nevojshme. Këto kapituj do të mbyllen në fund të bisedimeve”.
McAllister tha se është mirë që presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç mori iniciativën për të filluar një dialog në Serbi për marrëdhëniet me Kosovën.
“Nga veprimtaria trevjeçare e raportuesit, e di që kjo është një temë shumë serioze në Serbi, me qëndrime shumë të ndryshme. Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës duhet patjetër të normalizohen. Ky është një dialog i moderuar nga Bashkimi Evropian. Ka disa përparime në këtë drejtim, por jo aq sa kemi shpresuar. Është e rëndësishme që veçanërisht të zbatohen ato pika për të cilat ka pasur marrëveshje”, tha ai.
David James McCalister është raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë dhe kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të BE-së./Deutche Welle
a.ç