Organizata Ndërkombëtare për Ushqimin dhe Agrikulturën (FAO) , pranë Kombeve të Bashkuara ka rifreskuar të dhënat e saj mbi kërcënimet që mund të ndodhin kudo në botë në krizën e zinxhirit te ushqimit.
Parashikimi vlen për periudhën korrik-shtator dhe rendit shkaqet si dhe nivelin e tyre të rrezikut.
Për Shqipërinë sipas të dhënave që gjeneron sistemi dy janë kërcënimet që renditen. E para është rishfaqja e dermatozës nodulare, një sëmundje që prek lopët dhe që në vendin tonë u kthye në një problem serioz shtatorin e kaluar kur u raportuan mbi 200 lopë të ngordhura për arsye të kësaj sëmundjeje.
Kjo rriti alarmin në institucione për faktin se mishi mund të përfundonte në dyqane ndërkohë që qeveria me një vendim të veçantë miratoi një fond që do të shkonte për zëvendësimin e kafshëve të ngordhura.
Sipas FAO risku mbetet i moderuar për shkak të masave të vaksinimit por sërish duhet pasur kujdes për shkak të kushteve të favorshme të motit që e nxisin këtë sëmundje.
E dyta në listë për krizën e zinxhirtit të ushqimit konsiderohet dëmtimi i pishave nga mbipopullimi i një insekti specifik. Gjenerata e re e këtyre insekteve ka të ngjarë të shkaktojë ndotje të fortë të pyjeve me pisha.
Edhe në këtë rast pavarësisht klasifikimit si risk për nga niveli i kërcënimit FAO e konsideron këtë si të moderuar.
Harta e publikuar nga kjo organizatë synon të rritë ndërgjegjësimin e vendeve për të parandaluar këto risqe. Ajo rifreskohet çdo tre muaj nga ana e ekspertëve të cilët përpunojnë të dhënat historike dhe bëjnë parashikime në bazë të zhvillimeve.
Por jo në të gjitha vendet kërcënimi për krizën në zinxhirin e ushqimit është i njëjtë. Italia për shembull nuk ka asnjë kërcënim të parashikuar për periudhën korrik-shtator kurse Afganistani që është i pari në listë rrezikohet nga dy lloje karkalecash./monitor/a.m.