Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 70 punonjës zjarrfikës, 15 automjete zjarrfikëse, 70 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, mbi 40 punonjës të Pyjores e të bashkive, dhjetëra qytetarë vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin.
Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128.
QARKU SHKODËR
Vatrat e zjarrit në pyllin me pisha mbi pikën turistike të fshatit Theth, bashkia Shkodër, të cilat rrezikonin banesat dhe pushuesit janë shuar pas futjes në operacion të helikopterit. Forcat e Pyjores nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer malor.
QARKU LEZHË
Vijon operacioni në fshatin Orosh, bashkia Mirditë në zjarrin pranë një pylli me pisha. Zjarrfikësit me mjete janë mbështetur edhe nga forca ushtarake dhe forca të bashkisë. Zjarri është mbajtur nën kontroll nga forcat dhe nuk ka prekur pyllin me pisha. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ferra dhe shkurre.
QARKU ELBASAN
Vijon puna për izolimin e vatrave të zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll me lisa të vegjël, në fshatin Bulçar, bashkia Gramsh. Forcat zjarrfikëse, të mbështetura nga forca të pyjores dhe banorë të zonës, kanë izoluar gati të gjithë vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit është djegur sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, ferra dhe pyll me lisa të vegjël.
Në fshatin Hasmashaj, bashkia Peqin ka rënë zjarr në sipërfaqe me ferra dhe ullishte. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe shuan zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0.2 ha me ferra dhe 3 rrënjë ullinj të moshës rreth 10-vjeçare.
QARKU FIER
Në vendgrumbullimin e plehrave të qytetit Lushnje ka rënë zjarr i cili rrezikonte të përhapej. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin.
QARKU VLORË
Në fshatin Navaricë, Dhivër, bashkia Finiq ka rënë zjarr në një sipërfaqe të pyllëzuar, e cila ndodhet në një terren të thyer rreth 3 km larg nga Syri i Kaltër. Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit të mbështetur nga punonjës të bashkisë dhe vullnetarë, të cilët kanë izoluar vatrat e zjarrit që rrezikonin banesat e fshatit Navaricë. Si pasojë e zjarrit u dogj sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre, dushk dhe mare.
QARKU BERAT
Në fshatin Goraj, Perondi, bashkia Kuçovë ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarrfikësit me mjete, të ndihmuar nga të bashkisë dhe forca vullnetare kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe rrënjë ullinj.
QARKU KORÇË
Ka vazhduar puna për të shuar zjarrin e rënë në pyllin me pisha të larta në kufirin ndarës Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë. Zjarrfikësit me mjete të mbështetur nga punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores, banorë të zonës dhe dhjetëra dhe forca ushtarake, kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur dhe përshkuar nga flakët një sipërfaqe e konsiderueshme pyll pishe.
Në fshatin Shalës, bashkia Kolonjë ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre, dëllinjë dhe pishë. Zjarrfikësit me mjete, të mbështetur nga forca të pyjores kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 2 ha sipërfaqe me shkurre, dëllinjë dhe pishë.
Në unazën e qytetit Ersekë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ferra, pranë së cilës ndodhej një pikë karburanti. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.4 ha sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Në Leskovik ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra te varrezat e qytetit.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj 0.1 ha sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Parashikimi për nesër – 21 Gusht 2017
Gjatë ditës së nesërme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të ndrueshme, shoqëruar me reshje shiu, pjesërisht shtrëngata shiu dhe breshëri më të përqëndruara në pjesën qendrore dhe jugore të vendit.
Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:
Në vendet malore: Temperaturat minimale do të zbresin deri në 18°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 26°C.
Në vendet e ulëta: Temperaturat minimale do të zbresin deri në 19°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 34°C.
Në bregdet:
Temperaturat minimale do të zbresin deri në 21°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 33°C.
a.ç