Të rrethuar me kangjella, tela me gjemba dhe nën ruajtjen e policisë, 30 të mitur kalojnë çdo ditë në ambientin e riedukimit në Kavajë, pasi për drejtësinë ata konsiderohen përgjegjës për krime të kryera.
Nga vrasjet, vjedhjet, grabitjet dhe krimet seksuale janë veprat e konsumuar nga këta të mitur, që sot ndjehen në faj dhe i bëjnë apel bashkëmoshatarëve të mos bëjnë të njëjtin gabim si ta.
ReportTv është ndalur në ambientet e këtij burgu për t’ju sjell nga pranë se si jetohet, cilët janë pasionet e tyre dhe si është një ditë e zakonshme.
Ofiçina mekanikë nuk është puna e vetme e tyre pasi ata kanë fituar zanate në punë me dru, hidraulike dhe elektrike.
Janë miqësorë dhe pranojnë të ndajnë me ne disa momente të aktivitetit sportive në ambientet e riedukimit në Kavajë.
E teksa lëmë ambientet sportive i drejtohemi bibliotekës së IEVP Kavajë, aty ku i mituri nga Saranda që vuan një dënim për armëmbajtje pa leje ka pasion të shkruaj biografinë e një shkrimtari shqiptarë cilido qoftë ai. Në këtë bibliotekë ka një sërë librash, ndërsa sipas tyre deri më tani si ka vizituar asnjë poet apo shkrimtar.
Për kreun e riedukimit Kavajë, Hasan Alla, problem mbeten të dënuarit recidivist dhe e ardhmja e të rinjve të cilët pasi përfundojnë dënimet dhe lënë këto ambiente nuk kanë asnjë mundësi për tu ri-integruar.
Alla deklaron se deri më tani është vetëm Bashkia e Tiranës ajo që ka ofruar bashkëpunim me këtë institucion, ndërsa bashkitë e tjera dhe pse e kanë detyrim ligjorë kanë heshtur.
Ky institucion është ndërtuar afro 1 dekadë më parë dhe është i vetmi që akomodon të miturit e dënuar në vend dhe aktualisht në të ndodhen 30 të mitur të cilët varjojnë nga mosha 15 deri në 17 vite e 8 muaj më i madhi.