Kosova ka hyrë në një krizë të përsëritur institucionale për herë të dytë brenda tri viteve.
Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta tejkalojnë ngërçin.
Pas dështimit të vazhdimit të seancës së sotme, drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Europian, Angelina Eichhorst, i kërkoi deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe ta kryejnë procesin e lënë në gjysmë të konstituimit të Kuvendit.
“Edhe sot nuk pati progres. Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet. Partitë parlamentare duhet të veprojnë me përgjegjësi, t’i përmbushin obligimet ligjore e kushtetuese”, tha Eichhorst në një reagim në Twitter.
Gjatë ditës së djeshme, shtetet që përbëjnë QUINT-in (ShBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania e Italia) kërkuan nga deputetët e Kuvendit që të mos i bojkotojnë seancat dhe të gjejnë zgjidhje për të dalë nga bllokada. /a.ç