Kolla mund të jetë akute dhe kronike. Kolla akute zgjat deri në tri javë, ndërsa ajo kronike shkon deri në 8 javë. Kolla shkaktohet nga sëmundje të ndryshme, si ftohja në mushkëri, bronkiti kronik, astma bronkiale ose sëmundjet alergjike.
Lëngjet, për të parandaluar kollën
-Çaji i lulëkuqes
Një bimë mjaft frytdhënëse në luftën kundër kollës së shkaktuar nga mushkëritë dhe pezmatimi i bronkeve është edhe lulëkuqja. Nga kjo bimë përdoren vetëm petalet e saj. Çaji i lulëkuqes pihet i ëmbëlsuar me mjaltë, sepse ai jo vetëm i jep ëmbëlsi çajit, por ndihmon edhe në përmirësimin e fytit. Petalet e bimës, pasi janë tharë, hidhen në gjysmë gote me ujë. Lihen për 30 minuta dhe nga lëngu i përftuar pihet 1 e treta e masës. Këto çajra shërbejnë edhe në rastet, kur kolla shoqërohet me gëlbazë, pasi e bëjnë më të lehtë nxjerrjen jashtë të saj përmes kollitjes.
-Lulja e blirit
Një tjetër bimë që përdoret kundër kollës është edhe lulja e blirit. Mjekët këshillojnë të pihet 3 deri në 4 gota me çaj bliri në ditë nga njerëzit që kanë kollë. Efektet do të jenë të menjëhershme.
-Fieri i gurit
Një tjetër mënyrë që përdoret nga mjekësia popullore për largimin e kollës është fieri i gurit. Çaji i përftuar nga fieri pihet çdo mëngjes nga një gotë.
-Çokollata
Një grup shkencëtarësh kanë vërtetuar se çokollata është një ushqim mjaft i mirë kundër disa sëmundjeve. Merita i takon teobrominës, një substancë që ndodhet në farat e kakaos, e cila ka rezultuar se është më efikase se kodeina, një nga qetësuesit më të mëdhenj të kollës kronike.
Kjo substancë vepron duke bllokuar aktivitetin e “nervit endacak”, që luan një rol kyç për shkaktimin e kollës. Studiuesit e kanë eksperimentuar substancën në 10 vullnetarë të shëndetshëm, ndërsa një grup tjetër ka marrë një dozë pa këto efekte. Për të vlerësuar efektin, më pas kanë matur nivelin e kapsaikinës, që shërben për të shkaktuar kollën, te grupet e ndryshme.
E për të bërë të mundur që vullnetarët që kishin marrë teobrominën, të kolliteshin, është nevojitur një sasi më e madhe kapsaikinë në krahasim me të tjerët. “Ky përbërës i çokollatës duket mjaft i mirë ndaj kollës dhe ajo që duhet nënvizuar është fakti se nuk ka efekte anësore si trajtimet e tjera tipike që janë përdorur deri më sot”, thonë studiuesit.
-Çaji i gështenjës
Gështenja, një nga drurët më të njohur në Shqipëri, nuk mund të vlerësohet vetëm për frytin e mrekullueshëm e të pasur me vitamina, por pema shquhet edhe për ndihmesën, që ajo jep në mjekësinë popullore. Gjethet e gështenjës luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e shumë sëmundjeve.
Gjethet e gështenjës janë të pasura me substanca vepruese saponinë, eskulinë, fraksinë, flavoneve, taninë, të cilat ndikojnë dukshëm në qarkullimin e shpejtë të gjakut. Pirja e tri gotave të çajit, të përftuar nga farat ose lulet e gështenjës, ndihmojnë në funksionimin sa më të mirë të veshkave. Në këtë mënyrë shmangen dhe sëmundjet e tjera, që mund të shfaqen nga çrregullimet që ndodhin në to.
-Bima e mëllagës shëron kollën
Rrënjët dhe gjethet e mëllagës së bardhë, lulet e mëllagës, lulëkuqja, gjethet e thundërmushkës, etj; përmbajnë disa lëndë që lehtësojnë kollitjen. Zhumbrica, sherbela, rigoni, kopra dhe bliri, në sajë të esencës së tyre, ndihmojnë në mjekimin e rrugëve të acaruara të frymëmarrjes.
Lulëkuqja është qetësuese e lehtë, kurse elbi fuqizues i qarkullimit të gjakut dhe i frymëmarrjes. Këto bimë, të kombinuara së bashku, mbrojnë mirë mukozën nga ngacmimi dhe infektimi dhe kanë veti dezinfektuese dhe qetësuese. Prandaj, kombinimi i bimëve të mësipërme në formë çaji ndihmon në qetësimin e kollës dhe në mjekimin e rrugëve të acaruara të frymëmarrjes.
Rrënja dhe gjethet e mëllagës së bardhë dhe lulet e mëllagës përmbajnë substanca mucilagjinoze, të cilat zbusin dhe qetësojnë kollën, ndërsa lulet e blirit, në sajë të esencës dhe të heterozideve, ndihmojnë gjithashtu në sëmundje të shkaktuara nga të ftohtit, që shoqërohen me temperaturë (rrufë, kollë, etj). Përzierja e këtyre bimëve përdoret në formën e çajit.
Kjo kurë ka dhënë rezultate të mira jo vetëm në zbutjen e gëlbazës dhe të kollës, por edhe në sëmundjet e gojës dhe të fytit, duke u përdorur në formë gargare. Përgatitja dhe përdorimi Dy lugë supe (10 gramë) me këto bimë i hidhni në një enë ku shtoni 200 gramë, ose 2 tasa ujë të ftohtë.
Më pas këtë përzierje e ngrohni dhe e lini të ziejë 5 minuta. Pas zierjes lëngun e kulloni dhe e ëmbëlsoni me mjaltë ose sheqer. Çaji i freskët, në dozë si më sipër, këshillohet të pihet 3-5 herë në ditë i ngrohtë.
a.ç