Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i kërkon pushtetit lokal të hapë dyert për punësimin e të burgosurve në vend të cilët zotërojnë një profesion.
Report Tv ka siguruar një kopje të shkresës të drejtorisë së burgjeve drejtuar krerëve të bashkive ku kërkohet që nëpërmjet bashkive dhe administratës së burgjeve të ndërtohet një memorandum për të përcaktuar kushtet e punësimit të personave të privuar nga liria.
“Punët që mund të bëjnë të dënuarit”
Sipas kësaj shkrese një pjesë e konsiderueshme e të dënuarve gëzojnë aftësi profesionale në punë me dru, hidraulike dhe elektricist.
Aktualisht në rang vendi janë një numër i kufizuar personash që janë të punësuar pranë pushtetit lokal por pasi kanë fituar lirinë me kusht, ndërsa të dënuar që janë të punësuar ende nuk ka.
Pak javë më parë ky projekt u vu në jetë me bashkinë e Tiranës e cila për rikonstruksionin e kopshtit numër 8 në Tiranë punësoi disa të dënuar.
Administrata e drejtorisë së burgjeve e kontaktuar nga Report Tv për këtë iniciative sqaroi se gjithcka është ndërtuar për të ulur kostot e një të dënuari për buxhetin e shtetit dhe për të kryer punë publike me një kosto të ulët.
Aktualisht një i dënuar kushton në muaj për taksapaguesit nga 350-550 euro ndërsa me aplikimin e formulës së punësimit kjo kosto sipas projektit të drejtorisë së burgjeve reduktohet në 50%./a.m.