Një qendër kulturore në Köln instalon “tualete që respektojnë kulturat e tjera”. Fjala është për tualetet alla-turka që përdorin kryesisht myslimanët. Reagimet ndaj kësaj ideje janë të forta, edhe nga bota myslimane.
Integrimi i të huajve në Gjermani nuk është i lehë. Ata duhet të mësojnë një gjuhë të huaj, të gjejnë punë, të mësohen me sistemin kompleks shoqëror gjerman. Ndërkohë që edhe atmosfera kundrejt refugjatëve ka ndryshuar: Gjermanët nuk janë më të hapur si para dy vitesh. Aktet terroriste dhe përvoja, se integrimi nuk po ecën si duhet, e kanë zbehur optimizmin e tyre. Në këtë situatë Qendra Kulturore “Alte Feuerëache e.V. në Köln ndez një debat. Drejtuesit kanë vendosur të ndërtojnë “tualete publikë që respektojnë kulturat e tjera”, sidomos për myslimanët. Bëhet fjalë për tualetet alla-turka pa ulëse.
Ky vendim ndez edhe më shumë debatin për integrimin në Gjermani. Ende nuk kishte raportuar mirë gazeta lokale “Kölner Stadtanzeiger” për banjot, kur filloi në internet një debat i madh. Shumë lexues reaguan me refuzim të hapur ose tallje.
Tipike në vendet myslimane?
Tualete të tilla europianët i njohin nga Franca. “Një tualet i tillë i përgjigjet asaj që është tipike në vendet myslimane” thotë Konrad Müller nga bordi i qendrës kulturore. “Me këtë ne duam t’u japim këtyre njerëzve idenë se këtu janë në shtëpinë e tyre”. Për larje drejtuesit nuk planifikojnë letren higjienike, por një zorrë uji. Nga ana tjetër vrima e tualetit nuk tregon nga jugu. “Të kryesh nevojat e mëdha me drejtim nga Meka kjo nuk shkon”, thotë Konrad Müller.
Reagime nga Kölni
Kjo temë u kap menjëherë nga politika. “Kjo më le pa frymë”, thotë Uli Breite nga dega e liberalëve, FDP në Köln. „Ne liberalët mbështesim iluminizmin dhe përparimin. Ky tualet është kthim mbrapa. Integrimi mbështetet tek fakti që njerëzit që vijnë këtu tek ne përshtaten dhe jo e kundërta.”
Edhe drejtuesja e të Gjelbërve për Kölnin, Kirsten Jahn shpreh mosmiratimin e saj. “Zot i madh, ç’është kjo. Madje është një lloj fodullëku se si bordi i kësaj qendre kulturore pretendon që e di, se si duan njerëzit t’i kryejnë nevojat e tyre. Kjo është qesharake dhe nuk ka të bëjë me besimin.”
Të mësosh nga kultura të tjera?
Drejtuesit e qendrës kulturore e kanë mbrojtur vendimin e marrë. “Nuk ka asgjë të gabuar dhe nuk ka të bëjë aspak me mirësinë e tepruar, sepse organizata jonë ka mision dijen ndërkulturore. Edhe këtu popullsia lokale mund të mësojë diçka nga kultura të tjera”, thuhet nga kjo qendër.
Ndërkohë Ahmed Awaimer, i ngarkuar për dialogun nga Këshilli Qendror i Myslimanëve në Gjermani shprehet i përmbajtur për projektin. Parimisht qendra të tillë kulturore përpiqen të nxisin dialogun e njerëzve nga kultura të ndryshme. Pra është mirë të reflektosh për tjetrin, thotë ai. Por çështja e banjove allaturka nuk është ndër problemet më urgjente të integrimit. Prandaj edhe debati për këtë projekt është i ekzagjeruar. Ka probleme më të rëndësishme që duhen zgjidhur, si kurset e trajnimit për qindra mijëra myslimanë.
Jo temë fushate zgjedhore
Në fushatën aktuale në Gjermani disa politikanë e kanë kapur këtë temë për ta përdorur për qëllimet e tyre elektorale. Një politikan i partisë djathtiste, AfD shkruan se pas urinaleve të posaçme për femra, tani kërkon tualete për myslimanë. Duket sikur vendi nuk ka probleme të tjera.
Ndërsa Ahmad Awaimar thotë se shpreson që politikanët do ta mënjanojnë një temë të tillë në fushatë, sepse një temë e tillë kaq e nxehtë nuk është dinjitoze për kulturën demokratike të vendit.
Reagime nga bota arabe
Në botën arabe reagimet janë të ndryshme. “Myslimanët në shtetet e Gjirit Persik” përdorin madje tualete allaturka të lara në flori”, shkruan Bilal Arbouch në faqen e Facebookut. Me shkelje syri ai shton se edhe “për këtë duhet që Gjermania të tregojë kujdes.”
Ndërsa Osama Saadallah nuk e kupton debatin. “Pse duhet të jenë të zemëruar njerëzit me tualete të tilla?” Sipas tij ato ekzistojnë edhe në vende të tjera në Europë. Nuk ia vlen për banjo të tilla të fillosh “luftën e shenjtë”, shkruan ai. “Nevojat mund t’i kryesh si të duash. Rëndësi ka të rehatohesh.
Edhe Ahmed Habra nuk e kutpon se ç’kuptim ka një debat i tillë. “Nuk kanë myslimanët të drejtë për një jetë në vendet demokratike ku respektohen të drejtat e njeriut?”, shkruan ai në facebook. /DW/b.d