Një ditë më parë, një shtetas shqiptar u kap në Greqi me një jaht, Brenda të cilit ndodheshin 2 tonë kanabis. Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes në veri të ishullit Kythiron. Pas bllokimit të jahtit, policia greke ka arrestuar dy personat që gjendeshin në të, një shqiptar dhe një italian, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Policia bëri të ditur se jahti mbante flamurin italian.
Kythira, vendi ku edhe u kap mjeti lundrues, është ishull grek që ndodhet në pjesën jugore të Peloponezit, pjesë e periferisë së ishujve jonianë. Në orët në vijim pritet që autoritete të policisë greke të dalin me një konferencë për shtyp për detaje më të hollë- sishme.
Por nga të dhënat paraprake, ka qenë një operacion i organizuar më parë nga policia greke, pasi kishin marrë sinjalizime për mjetin lundrues si dhe për sasinë e drogës që dyshohej se po trafikonte. Nga dyshimet paraprake, droga mendohet se është kultivuar në Shqipëri dhe se kishte destinacion tregun grek.
Për efekt hetimi, policia greke nuk i bëri të ditur emrat e dy trafikantëve të arrestuar, pasi sipas të dhënave, ka dyshime për persona të tjerë të implikuar në këtë rrjet, për të cilët po punohet për t’u identifikuar dhe kapur.
Siç mësohet, asnjëri prej të arrestuarve nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndalimit, ndërsa kanë kërkuar të përfaqësohen me avokat. Policia bëri të ditur për mediat se kanë pasur një sinjal të mëparshëm për ngarkesën e drogës, ndaj mjeti lundrues është mbajtur në mbikëqyrje, derisa është ndaluar dhe u konfirmua se sinjalizimi i ardhur në polici kishte qenë i saktë.
Policia greke ka kapur herë pas here sasi të konsiderueshme lëndë narkotike e trafikuar nga Shqipëria, jo vetëm në rrugë detare, por edhe tokësore, përgatiti Lajmi.com.