Nga Alfons Çupaj
“Vij nga një tur në disa shtete të botës, por këto janë padyshim pushimet më të bukura që kam kaluar”. Kështu më tha Jeff, një mik nga SHBA gjatë një kampi veror në Divjakë.
Fjalët e Jeff i përforcuan edhe fëmijët e tij; “Po, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm”, ndërsa mund të shihje shkëlqimin në sytë e tyre teksa sodisnin perëndimin magjepsës të Divjakës. Por kjo nuk i pengoi ata për të thënë se më parë nuk kishin asnjë informacion rreth Shqipërisë dhe se kishin mbetur të befasuar.
Këto janë vetëm tre dëshmi nga mijëra të huaj që vizitojnë Shqipërinë çdo vit.
E cilësuar shpesh herë si ‘e bukura’ e Mesdheut, apo edhe destinacioni i fundit në Mesdhe për t’u zbuluar, Shqipëria është kthyer në një pikë turistike, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe ata të diasporës, por edhe për turistë nga vende të ndryshme të botës.
Media prestigjoze ndërkombëtare, si dhe agjenci të ndryshme që merren me promovimin e turizmit, e kanë klasifikuar Shqipërinë si destinacioni turistik i vitit 2017 dhe vendi ku mund të kalohen pushime përrallore me çmimet më të lira.
Revista Forbes e rendiste Shqipërinë si destinacionin më të lirë të botës për 2017-ën. Vendin tonë, revista e njohur e cilëson si më të përballueshmin në të gjitha zonat ku mbërrin dollari, nga Vietnami deri në Las Vegas.
“Në këtë cep të harruar të Europës, aty ku jo çdo kush shkon, mund të gjesh akomodim deri në 5 dollarë personi”, thuhet në artikull.
Vouchercloud, aplikacioni europian më popullor i blerjeve online, e ka listuar gjithashtu Shqipërinë si vendin e dytë në Europë, pas Maqedonisë për çmimet më të lira për një natë qëndrimi (çift apo në grup) bazuar mbi të dhënat e Airbnb
https://www.vouchercloud.com/travel-and-accommodation-vouchers#airbnb-prices-across-europe
Si një vend ende i pa prekur nga turizmi masiv, Shqipëria rezervon për këdo pamje magjepsëse nga veriu në jug. Plazhet e kristalta, shpesh të të fshehura dhe të panjohura për shumë kënd, tërheqin me shpejtësi vëmendjen e shumë pushuesve nga e gjithë bota.
Është e pamundur që të dalësh në rrugët e Tiranës, në çdo stinë të vitit, dhe të mos shohësh grupe turistësh të huaj që vizitojnë pikat kryesore të qytetit. Megjithëse fokusi i të gjithëve gjatë sezonit të verës, janë kryesisht plazhet, me qindra pushues të huaj preferojnë të vizitojnë malet tona, kryesisht aplet. Valbona, Thethi, Dardha, Jezerca, Voskopoja, Tamara gëlojnë nga turistët e huaj. Bujtinat e vjetra të Thethit dhe shtëpitë prej druri të Valbonës janë plot, verë e dimër.
Janë të përditshme panoramat, ku çifte të rinjsh, apo grupe të moshuarish, ngjisin me biçikletë malin e Dajtit. Rastis t’i shohësh autostradave të Shqipërisë, me çanta të mëdha mbi shpinë dhe çadra të vogla, të cilat i ngrenë ku ti zërë nata.
Para disa ditësh vizitova Malin e Munellës, një destinacion i panjohur madje edhe për shqiptarët, dhe takova rastësisht të paktën 50 persona me motoçikleta të cilët kishin përshkruan gjithë aksin e veriut. “Shqipëria është një vend i bukur dhe plot adrenalinë” më tha njëri prej tyre që ishte nga Çekia.
“Vij thuajse çdo vit këtu dhe më duket sikur jam në shtëpinë time”, shtoi i huaji i panjohur, në atë bisedë të shkurtër që zhvilluam nën rrezet përcëlluese të diellit.
E pasur me male, lumenj, fusha dhe dete; Shqipëria ofron një gamë të gjerë mundësish, ku çdo person mund të gjejë veten e tij.
“Ju keni një vend të mrekullueshëm. Ju duhet ta ndërtoni këtë vend”, më tha David, një pastor gjerman që ka 3 muaj që po jeton në Shqipëri, por që koha e shkurtër nuk e ka penguar atë të mësojë rrjedhshëm gjuhën shqipe.
“Fillimisht e pata të vështirë të vij me mision këtu, por tani jam shumë i lumtur për zgjedhjen time” tha ai.
“Gjuha juaj është shumë e bukur, por ju keni shumë shkronja”, shtoi David duke më buzëqeshur.
Shqiptarët janë përgjithësisht të dashur me të huajt, edhe pse nuk ndodh gjithmonë kështu me njëri-tjetrin. Mikpritja, si një cilësi e kahershme e jona, është gjëja e parë që bie në sytë e të huajve.
“Ju jeni shumë të dashur. Ne kanadezët nuk shkojmë kaq mirë me njëri-tjetrin”, më thonte vazhdimisht miku im Derek nga Kanadaja me të cilin kam punuar për 4 vjet në Shqipëri, por që qeveria shqiptare vendosi të mos rinovojë kontratën me kompaninë nga Amerika Veriore.
“Ajo që duhet të bëni është të kujdeseni më shumë për ambientin” më thonte vazhdimisht ai.
Nuk pajtohej kurrë më mbeturinat që hidheshin vend e pa vend, duke ndotur lumenjtë dhe natyrën në përgjithësi.
“Gjithçka është bukur. Natyra, njërëzit, ushqimi. Çdo gjë është një mrekulli. Ju duhet të kujdeseni më shumë për ambientin”.
Këto fjalë dëgjohen rëndom nga çdo i huaj që vjen në Shqipëri.
Pavarësisht plazheve magjepsëse dhe peisazheve natyrore përrallore, mbetet problem pastërtia, dhe në disa raste shërbimi në hotele e restorante dhe abuzimi me çmimet.
“Gjithmonë më rreh zemra në Shqipëri, edhe pse jam nga Gjakova”, më tha Bernardi, një manaxher i ri që i ishte bashkuar kampit tonë veror.
“Ndonjëherë abuzohet me çmimet, por kjo nuk më pengon kurrë të vij të kaloj pushimet në tokën time”, shtoi ai me njëfarë krenarie.
Sipas statistikave, rreth gjysma e turistëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për të pushuar gjatë verës, janë shqiptarët e Kosovës. Nëse biem dakord t’i quajmë të huaj vëllezërit tanë kosovarë, vetëm për shkak se nuk janë rezidentë në vendin tonë.
Sipas të dhënave të ministrisë së Ekonomisë, në vitin 2016 turistët kosovarë përbënin 45% të vizitorëve të huaj nga 37% që vlerësohej në vitin 2014, dhe megjithëse nuk ka akoma një raport zyrtar, besohet se edhe këtë verë ka patur rritje të pushuesve nga Kosova dhe të atyre nga vende të ndryshme të botës.
Ditët e fundit jemi njohur me mjaft episode të turpshme, ku kanë qenë vetë pushuesit kosovarë që kanë denoncuar abuzimin me çmimet dhe trajtimin e diferencuar që u bëhet, ndryshe nga pjesa tjetër e turistëve vendas apo të huaj. Kanë qenë disa rastë të publikuara edhe në media.
Fillimisht debati nisi me vendimin e Bashkisë së Durrësit më 16 korrik për të ndaluar hyrjen e autobusëve nga Kosova në rrugën ‘Pavarësia’.
Disa e kanë quajtur një diskriminim që po ju bëhet turistëve nga Kosova, madje të revoltuar, kanë bërë thirrje për të bojkotuar plazhin e Durrësit. Ndalimi i autobusëve nuk u prit mirë nga pushuesit kosovarë, madje gazetari Adriatik Kelmendi u bëri thirrje pushuesve që të bojkotojnë plazhet e Durrësit.
Ҫmimet gjatë sezonit të verës në bregdetet shqiptare janë të kripura dhe kjo gjë është bërë disa herë publike, por tanimë duket se çmimet janë të ndryshme edhe mes kosovarëve dhe shqiptarëve.
Një rast të tillë në plazhin e Drimadhës e ka hasur gazetari kosovar Arton Mulliqi, ku në një postim në rrjetet sociale denoncon fenomenin që kaq shumë po përhapet.
“Në të njëjtën hapsirë plazhi, unë paguaj 2,000 lek për çadër dhe shezllona vec pse jam nga Kosova, e vëllai nga Shqipëria 2 metra larg meje paguan 700 lek,” shkruan ai teksa i bashkangjit tekstit dhe foto të këtij skandali.
Ka patur edhe raste kur pushuesit kosovarë kanë rënë pre e grabitjeve në plazhet shqiptare, apo rasti kur vetë policia e shtetit u ka kërkuar ryshfet atyre, denoncim i cili u shoqërua edhe me pezullimin nga detyra të dy efektivëve.
Abuzimet me pushuesit kosovarë janë pranuar edhe nga vetë pronarët e hoteleve. Denoncimi vjen nga Deutsche Ëelle në një video të realizuar në plazhin e Durrësit. Vetë pronarët e restoranteve dhe bareve që kanë privatizuar edhe ranishten, pranojnë se për pushuesit nga Kosova operojnë me çmime të tjera përsa u përket shezlongeve.
Por pre e abuzimeve nuk janë vetëm pushuesit kosovarë, por edhe ata shqiptarë. Publikimi i një fotojë ku shkruhej “Çadra 800 lekë, termusi nuk lejohet”, shkaktoi mjaft zemërim në rrjet.
Rastë të tilla të abuzimit me çmimet janë të shumta. “Por kjo nuk e pengon vrullin e shqiptarëve të Kosovës për të vizituar në çdo kohë, tokën tonë, Shqipërinë”, thotë Bernardi nga Kosova.
“Si është e mundur që motorët e ujit kalojnë kaq pranë njerëzve”, më pyeti disa herë dhe me habi një shtetas nga Amerika teksa po bisedoja me të në plazhin e Shëngjinit.
Në fakt, të dhënat flasin se në 3 vitet e fundit ka pasur afro 3 viktima nga motorët e ujit, turistë të huaj, pa llogaritur panikun e pushuesve në plazh.
Mungesa e rojeve në plazhe është një tjetër fenomen, që bie direkt në sytë e pushuesve të huaj. Disa persona kanë humbur jetën në det, vetëm se nuk është gjendur dikush pranë tyre që t’i shpëtojë.
Shqipëria ka të deklaruara aktualisht vetëm 68 mijë shtretër, aq sa ka edhe Maqedonia, por pjesa tjetër nuk deklarohet. Në vendet e rajonit turizmi jep 10-20 për qind të prodhimit vjetor kombëtar, ndërsa në Shqipëri është deri në 6 për qind.
Nathael, një pastor nga Indiana e SHBA, i cili ishte bashkë me familjen e tij në kampin veror që organizuar në Divjakë nuk e fshehu mërzinë ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri.
“Jam shumë i lumtur që isha këtu dhe nuk dua të largohem” deklaroi ai
“Gjithçka në Shqipëri më ka pëlqyer dhe shoqëria me ju shqiptarët është një eksperiencë e bukur”, tha Nathael me premtimin që verën tjetër do të vizitojë sërish vendin tonë bashkë me Stephanie dhe fëmijët e tyre.
Kent dhe Angie, janë nga SHBA, por jetojnë prej disa vitesh në Shqipëri bashkë me 3 fëmijët e tyre. Teksa po bisedoja me Kentin, mund të konstatoje shumë lehtë dashurinë që ka ai për Shqipërinë. Ata flasin në mënyrë perfekte shqip.
“Gjithçka është e mrekullueshme këtu”, më tha ai. “Ju jeni shumë të dashur. Ndihemi shumë mirë“, shtoi ai.
Të huajt që vijnë në Shqipëri e kanë të vështirë të largohen.
Javanews.al