Nga Skënder Minxhozi/
Kësaj rradhe Edi Rama ja doli të fashisë jo vetëm fushatën me tam-tamet, ngjyrat, banderolat dhe fjalimet me zë të lartë, por edhe më të pamundshmen e të gjithave: gossipin për qeverinë e re që vjen më pas, kur votat janë numëruar. Sa herë që janë zhvilluar zgjedhje në Shqipëri, javët pasardhëse kanë qenë një garë thashethemesh, emrash, gati-ministrash, fytyrash që shfaqeshin e zhdukeshin, bërrylash të përfolur dhe rivalitetesh të supozuara. Këtë verë gjithçka hesht. Me përjashtime fare të vogla, edhe mediat duken të dorëzuara përballë batutës pak a shumë qesharake “Qeverinë e re?! S’e di as Ai vetë”!
Edi Rama na ka bindur të gjithëve të heqim dorë me dëshirë dhe bindje nga një sport kombtëtar shumëvjeçar, siç është i qeverive-hije. Megjithatë kjo është mbështjellësja e jashtme e ngjarjes, apo më mirë ngjarjeve që shoqërojnë rrugëtimin e lodhur veror drejt kabinetit të ri. I cili do të dalë nga Parlamenti i ri i shtatorit. Pasi e ka maskuar këtë proces emrash, ekuilibrash, aleancash dhe interesash me një “fushatë elektorale bis” (dëgjesat popullore), Rama është duke i dhënë dorën e fundit kabinetit të tij të ri. I cili duket se do të fillojë me një riorganizim të madh institucionesh, agjencish dhe entesh varësie.
Kryeministri është zotuar solemnisht të ndërtojë një shtet të imunizuar sa më shumë nga korrupsioni. Së bashku me këtë angazhim elektoral, ai po ndjek edhe parimin dikur shumë të dashur për të djathtën, atë të shtetit të vogël, por sot të përqafuar nga të gjitha anët si një premisë e përgjegjshmërisë në qeverisje.
Këto piketa të para, larg listave emërore, janë gjithsesi premtime ende vështirësisht të perceptueshme, për sa kohë që qeveria nuk ka nisur të funksionojë sipas formulave të reja. Dhe natyrisht, për sa kohë që titullarët e saj, ministrat dhe zyrtarët e tjerë të lartë, nuk e kanë dëshmuar sesa të aftë dhe të pastër janë.
Paralelisht me emrat qeveria e re nuk ka shfaqur ende ndonjë piketë konkrete të programit të saj ekonomik, të politikës së jashtme, të angazhimeve afatgjata në sektorë si bujqësia, energjia dhe infrastruktura. Dimë angazhimet elektorale, por jo gjithçka thuhet në fushatë, zbardhet në letër në shtator.
Ndërkohë qeveria në ikje vazhdon të mbetet nën kontrollin e opozitës. Një mutacion i habitshëm për t’u shpjeguar i 17 majit të shkuar, që ka mbetur i paprekur, sipas dëshirës së njohur historike të Edi Ramës, për t’i lënë me rrjedhje të lirë krizat. Deri sa armiqtë të lodhen. Dhe ai të fillojë punë me fushën e boshatisur, nga shtatori e tutje.