Kohën për të pushuar e presin të gjithë. Valixhja gati dhe deti e dielli i presin shqiptarët. Por kjo nuk është e mundur për të gjithë…
Sipas Institutit të Statistikave, në vitin 2015 shqiptarët kanë shpenzuar rreth 45 milionë euro për pushime brenda dhe jashtë vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri jetojnë mbi 750 mijë familje. Përllogaritjet e INSTAT tregojnë se mesatarisht, një familje shpenzon vetëm 8.100 lekë në vit për të pushuar.
Kjo shifër është 30 herë më pak sesa në Perëndim, pasi një familje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzon 2 mijë e 500 dollarë në vit për pushime, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar, 1 mijë e 800 dollarë.
Fondi total prej 45 milionë eurosh shpenzohet vetëm nga ajo pjesë e familjeve në Shqipëri që kanë mundësi të bëjnë pushime, pasi një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk arrijnë t’i përballojnë shpenzimet e një apo dy javëve pushime në vit.
Por nuk janë vetëm shqiptarët që i konsiderojnë luks pushimet. Të dhënat e publikuara nga Instituti Europian i Statistikave, një në tre familje e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet për pushime.
Nivelin më të ulët të familjeve që nuk mund të përballojnë pushimet e ka Suedia, me 8.2 përqind. Më pas vjen Luksemburgu, me 13.1 përqind dhe në vendin e tretë renditet Danimarka, me 13.7 përqind.
Sipas Eurostatit, në Bullgari janë 56.4 përqind e familjeve që nuk kanë të ardhura për një javë pushime larg shtëpisë; në Kroaci 62.8 përqind, ndërsa në Rumani 66.6 përqind e popullsisë.
Megjithatë, Shqipëria renditet ndër të fundit në tabelën e të bërit pushime, pasi për shumicën e shqiptarëve janë shpenzime të pamundura për xhepin e tyre./ABC News