Gati 80 përqind e energjisë elektrike që hidhet aktualisht në rrjet vjen nga importi. Thatësira e tejzgjatur ka shterruar nivelin e Fierzës, që të hënën zbriti nën kuotën më të ulët të shfrytëzimit dhe po prodhon me kapacitet minimal.
Sipas KESH, niveli në Fierzë aktualisht është 269 metër. Për të mos lejuar rënien e rezervës, Koorporata po përpunon vetëm prurjet natyrale, prej 20 m3/sek.
Kjo sasi energjie shkon për të mbuluar nevojat e OST-së për ruajtjen e parametrave teknikë dhe humbjet në rrjetin e transmetimit dhe shumë pak për furnizimin me energji.
Ndërkohë, OSHEE po përgatit një tjetër procedurë për import për muajin gusht, që synon blerjen e 30 mijë megavat/orë, si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë nga temperaturat e larta.
Vetëm për muajin korrik dhe gusht, OSHEE shpenzoi 52 milionë euro në total për blerjen e energjisë elektrike. Por procedura e re pritet të kushtojë më shtrenjtë, për shkak të periudhës aspak të favorshme të çmimeve në bursë.
Burime konfidenciale i thanë Top Channel se, nëse thatësira do të zgjasë, në muajin shtator vendi rrezikon varësi totale nga importi. Në këto kushte, blerja e energjisë do të tejkalojë mundësitë financiare të OSHEE-së, duke kërkuar deri edhe ndërhyrjen e buxhetit të shtetit.
Por ajo që do të ndihmonte në tejkalimin e vështirësisë financiare është kredia prej 22.4 milionë eurosh e Bankës Botërore që autorizon KESH të nisë importin me këtë fond, por që nuk është lëvruar ende nga kjo bankë.
Niveli maksimal i liqenit të Fierzës është në 296 metra mbi nivelin e detit, por mund të arrijë në raste të rralla deri në nivelin e 298 metrave mbi nivelin e detit. Në nivelin e tij maksimal liqeni ka një sasi uji prej mbi 2.7 miliardë metër kub ujë, ndërsa në të ashtuquajturën pikë e vdekjes, që është në nivelin e 242 metra mbi nivelin e detit, sasia e ujit është afro 1.2 miliardë metër kub ujë dhe është e pashfrytëzueshme.
a.ç