Borxhi publik i Kosovës ka arritur shifrën e përgjithshme prej rreth 1 miliard eurosh, duke u dyfishuar pothuajse gjatë tre vjetëve të fundit.
Në vitin 2014, kur u formua qeveria “Mustafa” (dhjetor 2014), borxhi i përgjithshëm i vendit ishte 582 milionë euro. Nuk kanë kaluar as tre vjet të plota dhe sot borxhi i përgjithshëm ka arritur shifrën prej 980 milionë eurosh.
Borxhi u thellua vit pas viti
Qeveria aktuale këto ditë të fundit të qeverisjes ia shtoi vendit edhe rreth 34 milionë euro borxhe përmes dy marrëveshjeve që arriti me Bankën Botërore.
Të mërkurën ministri i Financave në largim, Avdullah Hoti, nënshkroi me Bankën Botërore marrëveshjet për kredi, për realizimin e dy projekteve të identifikuara si primare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Projektin për Konkurrueshmërinë dhe Gatishmërinë për Eksport dhe Financimit Shtesë për Projektin për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, shkruan gazeta Zëri. Edhe këto fonde të siguruara janë kredi që Kosova duhet t’i kthejë duke u bazuar në marrëveshjen e arritur.