Mungesa e sjelljes së duhur mund të jetë një zakon i përditshëm, i cili edhe mund t’i shpëtojë vëmendjes, por a silleni ju siç duhet? Zbuloni nëse pa dashje bëni ndonjë sjellje të pahijshme.Në çdo dekadë krijohet rregulli i asaj që është sjellje e saktë dhe asaj që nuk duhet bërë. Me zhvillimin e teknologjisë, duket se njeriu po largohet gjithnjë e më shumë nga gjestet e vogla që dikur kanë qenë kryesore për etikën e sjelljes.
Nëse edhe ju veproni sipas listës së mëposhtme, atëherë me shumë gjasa keni diçka që duhet të ndiqni në sjelljen tuaj. Më shumë se thjesht një stil jetese, të qenët i pasjellshëm bëhet një antistil i të jetuarit të jetës.
1. Shikimi i telefonit kur flisni me dikë
Sa shpesh e bëni gjatë ditës këtë veprim që mund të duket i parëndësishëm, por që është një mungesë e hapur respekti? Po shtohen gjithnjë e më shumë njerëzit që flasin dhe gjithçka bëjnë është të përqendrohen te celulari qoftë duke folur, luajtur apo përditësuar statusin në rrjetet sociale. Çfarëdo qoftë dhe sado e rëndësishme mund t’ju duket për momentin, gjeni kohën të respektoni të tjerët ashtu siç e meritojnë. Harrojeni teknologjinë për disa çaste, merruni me njerëzorët.
2. Ecja në anën e kundërt të trotuarit
Mund të keni qenë pjesë e situatave të çuditshme të përplasjes në rrugë me të tjerë kalimtarë dhe e gjitha kjo prej një shkaku të vetëm: jeni në anën e gabuar të trotuarit. Jo vetëm që është shpërqendruese, por është një shkaktar i madh vonesash. Përpiquni të ruani anën tuaj të rrugës.
3. Ecja në grup
Mund t’ju duket argëtuese dhe sociale për ju, por çfarë cingërisje nervash u shkakton ky fenomen të tjerëve? Është e pasjellshme të zini të gjithë trotuarin për vete dhe mbi të gjitha të bëni ecje të ngadaltë. Jepuni të tjerëve mundësi të udhëtojnë në rrugët publike pa u penguar.
4. Mosmbajtja e dyerve për të tjerët
Ky është një veprim shumë i përhapur në vendet ku njerëzit kanë hyrje-dalje të vazhdueshme. Nuk ju kushton asgjë të mbani derën për dikë tjetër dhe të mos ia përplasni në fytyrë. Është një sjellje e përditshme, por acaruese dhe shumë fyese.
5. Radha e makinave
Ekziston një rregull i ruajtjes së vijës së drejtë të gjatësisë te makinat që janë në ecje ose kanë ndaluar në trafik. Devijimi nga ky rregull çon në një ngatërresë të madhe në zinxhirin e makinave, ku disa qëndrojnë drejt, të tjera vijnë nga e majta në të djathtë e anasjelltas. E njëjta gjë vlen edhe për ata që ecin në korsinë e kundërt për të shkurtuar trafikun dhe pastaj ngecin në mes të rrugës.
6. Përgjigjja “çfarë?” në telefon
Nëse jeni i zënë dhe po kërkoni t’ia tregoni tjetrit, keni të drejtën tuaj ta bëni, por tregoni pak respekt! Nëse dikush ju telefonon, atëherë më e pakta që mund të bëni është t’i përgjigjeni siç duhet. Pyetja “çfarë?” në vend të përshëndetjes së zakonshme, është një sjellje shumë e keqe. Mendoni nëse dikush do të trokiste në derën tuaj të shtëpisë, a do t’ia hapnit dhe ta pyesnit direkt se çfarë kërkon?
7. Shpërfillja e transportit publik
Mund të mos jetë mënyra më e mirë për të udhëtuar, por kjo nuk do të thotë se meriton injorimin apo shpërfilljen nga ana juaj. Tregoni respekt për personat që udhëtojnë me autobus publik dhe kuptoni pamundësinë e të tjerëve.
8. Bakshishi qesharak
Të shpërblesh dikë me para shtesë për shërbimin që ke marrë, është mbi të gjitha shprehje e kulturës suaj. Nëse lini bakshishe qesharake, jo vetëm që nuk nderoni personin që e merr, por përkundrazi e ofendoni duke bërë që edhe vetë të dukeni qesharakë. Merreni seriozisht këtë paralajmërim të sjelljeve të gabuara që kushdo i bën në jetën e përditshme. Lini një bakshish të kënaqshëm ose asgjë.
9. Keqpërdorimi i tualeteve
Kur frekuentoni një tualet publik, kini parasysh se ai do të përdoret nga shumë njerëz pas jush, ndaj përpiquni ta lini në gjendje funksionale. Nuk është mirë që t’i përdorni gjërat pa menduar për të tjerët, nëse të gjithë do të vepronin kështu, atëherë s’do të mbetej asgjë për njerëzit. Ky është një nga gabimet më të mëdha që bëhen në përditshmëri, ndaj kini respekt për veten dhe silluni me etikën që ju takon.
10. Ngrënia e thonjve në publik
Askujt nuk ia ka ënda t’ju shohë teksa hani thonjtë në publik apo edhe i prisni ato. Është një mirëmbajtje private e trupit tuaj që duhet bërë në një mjedis të përshtatshëm, që të mos krijohen efekte të papërshtatshme te të tjerët.