Reforma monetare e korrikut 1946 grabitja me përmasa të jashtëzakonshme nga komunistët shqiptarë, diktuar nga jugosllavët. Konfiskimi i arit dhe parave, një operacion i pamëshirshëm që shkatërroi plotësisht biznesin privat.
Të shkatërrosh ekonominë e një vendi dhe ta grabisësh plotësisht atë. Nëse kjo ka ndodhur diku apo dikur, sigurisht që nuk ka asgjë të ngjashme me atë që ka ndodhur në Shqipërinë e viteve 1945-1946. Një rrënim i paprecedentë. Në 18 muaj tërmeti i dhunës komuniste rrafshoi gjithçka. Sot mund të duket e çuditshme se si mundën ata që erdhën nga mali, me asnjë lloj përvoje në financa e biznes, të realizojnë në aq pak kohë një superoperacion të tillë. Ka një shpjegim. Gjithçka është ideuar, frymëzuar dhe zbatuar nën dirigjimin e komunistëve jugosllavë, të cilët në ata vite kanë patur pushtet absolut mbi komunistët shqiptarë. Por edhe vetë pushtetarët e rinj vendas kanë qenë plotësisht të qartë për atë që do të bënin. “Përpara partisë dhe pushtetit popullor shtrohej detyra e ndërlikuar dhe e vështirë për të pushtuar me mjete revolucionare edhe bazën e fundit të fuqisë ekonomike të borgjezisë. Duheshin hequr paratë nga duart e borgjezisë dhe të shndërroheshin ato në armë të diktaturës së proletariatit. Duhej fituar lufta e fundit vendimtare me borgjezinë”, thuhej në dokumentet partiake pak vite pas “grabitjes së madhe”. Gjithçka do të niste me shtetëzimin e bankave dhe krijimin e asaj që u quajt Banka e Shtetit Shqiptar. Do të ishte kjo e fundit në emër të së cilës do të zhvillohej ai që u quajt “rregullimi monetar” e që u materializua në grabitjen e arit, vulosjen e monedhave të vjetra për të përfunduar me hedhjen në qarkullim të frangut të ri në korrik të vitit 1946. Në 18 muaj u zhbë gjithçka që ishte krijuar deri më atëherë në ekonominë kombëtare.
Ari, grabitja e parë
Mund të thuhet se pas pushtetit komunistët kanë ardhur me sytë tek ari. Me këtë synim të qartë ka nisur ai që më vonë është quajtur “stabilizimi monetar”. Në planet e asaj kohe thuhej se “në radhë të parë duhej ndaluar nxjerrja e arit jashtë kufijve të atdheut”. Kështu vetëm dy javë pas çlirimit, më 15 dhjetor 1944 Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar do të nxirrte një ligj të veçantë “Mbi ndalimin e eksportimit të metaleve me vlerë”. Sipas atij ligji ndalohej në mënyrë kategorike eksportimi i arit, i argjendit, i platinit dhe i gurëve të çmuar, në çfarëdo trajte, monedhë, shufër apo stoli. Ligji ndalonte po ashtu personat privatë që të eksportonin jashtë shtetit përveç metaleve të çmuara edhe mallra të tjera të ndryshme. Që në këtë kohë sanksionohet, në trajtë fillestare; monopoli shtetëror mbi tregtinë e jashtme. Menjëherë pas nxjerrjes së atij ligji tregtimi i arit përqendrohet tërësisht në duart e Bankës së Shtetit e cila mori të drejtën e monopolit, e cila më vonë do të zgjerohej edhe me vendosjen e monopolit shtetëror mbi valutën, që u vendos përfundimisht më 2 qershor 1945, me një urdhëresë të Ministrisë së Financave “Mbi ndalimin e eksportimit dhe importimit të bankënotave shqiptare dhe të shitblerjes dhe eksportimit të divizave dhe valutave të huaja”. Ka qenë një operacion gradual i kryer në më pak se gjashtë muaj. Kështu në fillim është ndaluar eksportimi i metaleve të çmuara. Pastaj është ndaluar tregtia e arit brenda vendit. Më 18 maj 1945 Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar shpalli Ligjin “Mbi ndalimin e tregtisë së arit”. Ky ligj ishte ndër më të ashprit, ai parashikonte dënime deri me vdekje. Së fundi është ndaluar edhe tregtia e valutës, duke i përqendruar të gjitha këto veprime në duart e Bankës së Shtetit. Pas këtyre operacioneve monetare realizimit të qëllimit përfundimtar i shërben një tjetër operacion por kësaj radhe fiskal: vendosja e tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Të kryqëzuara mes tyre këto masa do të arrinin tri qëllime kryesore: garantonin të ardhura për buxhetin e shtetit, formonin rezervën e arit dhe valutës pranë thesarit të Bankës së Shtetit dhe në të njëjtën kohë u hiqnin nga duart “klasave të përmbysura”, armën e tyre më të fortë arin dhe paranë. Me një tjetër ligj të veçantë të gjithë prodhuesit dhe tregtarët e mëdhenj u detyruan të shlyenin me ar detyrimet ndaj shtetit komunist për pagimin e tatimit të jashtëzakonshëm. Sipas të dhënave zyrtare të kohës brenda disa muajve pas vendosjes së monopolit të valutës, rezervat e arit në thesarin e shtetit shënuan një rritje të konsiderueshme dhe është raportuar se deri në shtator të vitit 1945, pra më pak se një vit pasi komunistët kishin ardhur në pushtet, në Bankën e Shtetit vetëm si tatim i jashtëzakonshëm për fitimet e luftës ishin grumbulluar një sasi ari prej 70.000 napolona flori. Në këtë shumë nuk është e përfshirë ari që u konfiskua si pasuri e tundshme dhe e patundshme e atyre që pushteti i kohës i cilësoi si “kriminelë të luftës” dhe të të arratisurve politikë dhe e të të huajve. Kësaj shume më vonë do ti shtohej shtetëzimi i pasurisë së tregtarëve e industrialistëve të vendit, duke përfshirë këtu vlerat që ata kishin në formën e metaleve me vlerë. Por grumbullimi i arit do të ishte vetëm një pjesë e “grabitjes së madhe”.
Vulosja e monedhave
Pas arit radhën e kishin kartëmonedhat. Ndonëse komunistët qëllimin final e kishin të ndërronin monedhën me një prerje të re të saj, kjo reformë monetare radikale në atë kohë ka qenë plotësisht e pamundur si për arsye të kohës së kufizuar ashtu edhe për shkak të mundësisë ekonomike ashtu edhe teknike e operative bankare. Por pushtetarëve të rinj u duhej të vepronin shpejt pasi siç deklaronin vetë më vonë “rreziku i penetrimit të jashtëm duhej zhdukur pa tjetër dhe për këtë duheshin shfuqizuar të gjithë bankënotat që gjendeshin jashtë vendit”. Zgjidhja e menjëhershme ishte ajo që kishin bërë edhe gjermanët në vitin 1943, vulosja e parave të vjetra që ishin në qarkullim. Kështu më 22 qershor 1945, Banka e Shtetit Shqiptar shpall urdhëresën mbi “syrsharzhimin” e bankënotave të emetuara nga ish Banka Kombëtare. Në bazë të kësaj urdhërese do ti nënshtroheshin vulosjes të gjitha bankënotat e vjetra të nxjerra në qarkullim nga ish-Banka Kombëtare si dhe të gjitha çek-monedhat e emetuara pas çlirimit nga Banka e Shtetit Shqiptar duke përdorur çeqet e ish-Bankës Kombëtare. Vulosja ka qenë një operacion blic i zhvilluar në pak ditë pranë degëve të Bankës së Shtetit. Kështu nga 27 qershori deri më 8 korrik 1945, duke nisur fillimisht në pikat kufitare janë vulosur kartëmonedhat që ishin në qarkullim. Pas 8 korrikut 1945 paratë dhe çeqet e paparaqitura për vulosje e humbën fuqinë e tyre. Sipas të dhënave të asaj kohe pas kësaj mase kanë rezultuar të shfuqizuara për arsye të mosparaqitjes për vulosje apo edhe për shkak se ishin të vjetruara e të prishura kartëmonedha me një vlerë të përgjithshme prej 100,232.160 frangash shqiptare. Përllogaritej që kjo sasi paraje përbënte rreth 1/4 e sasisë së përgjithshme të qarkullimit monetar. Mendohej se pjesa më e madhe e këtyre parave ishin jashtë vendit, marrë nga të arratisurit apo në forma të tjera. Me anë të vulosjes së parave komunistët kishin hedhur hapin më të rëndësishëm për vendosjen e kontrollit të plotë mbi qarkullimin monetar. Ata siguruan të dhëna të plota e të sakta për sasinë e parave në qarkullim. Por jo vetëm aq. Vulosja e parave u krijoi atyre gjithashtu edhe mundësinë të dinin sasitë e parave që kishin “armiqtë e klasës”. Kishte qenë një operacion i parapërgatitur me kujdes. Në fshehtësi të plotë mbikëqyrja e procesit ishte realizuar nëpërmjet komisarëve të caktuar nga shteti, të cilët jo vetëm që kishin marrë shënim për sasitë e parave të prodhuesve e tregtarëve të mëdhenj por në të njëjtën kohë kishin zbuluar se kush ishin edhe personat që shumë prej tyre i kishin dërguar nëpër banka për vulosjen e parave. Mbi atë bazë më pas ishin caktuar edhe masat e tatimit të jashtëzakonshëm mbi fitimet e luftës. Grabitja e parave, siç edhe mund të kuptohej me logjikën e asaj kohe ishte paraprirë nga bllokimi i depozitave bankare. Në atë kohë Banka e Shtetit përcaktoi norma maksimale të përjavshme si për privatët edhe për ndërmarrjet për tërheqjen e parave nga depozitat e tyre. Fillimisht masa e lejuar për t’u tërhequr ka qenë 300 franga shqiptare, më pas është bërë 500 franga për të patur dhe një rritje tjetër në 1000 franga. Kufizimi është hequr plotësisht në korrik 1945, vetëm pasi seria e kartëmonedhës në qarkullim ishte vulosur.
Finalja, frangu i ri
Por vulosja e monedhës në qarkullim ka qenë vetëm se një masë e ndërmjetme. Që me krijimin e Bankës së Shtetit në janar të vitit 1945, ishte deklaruar se në qarkullim do të hidhej një monedhë e re. Në aktin e krijimit të Bankës së Shtetit thuhej “Bankënotat e emetuara deri më sot prej Bankës Kombëtare të Shqipërisë do të zëvendësohen me bankënotat që do të emetohen prej Bankës së Shtetit Shqiptar”. Kjo do të shënonte finalen e operacioneve monetare të komunistëve që siç dihet sytë i kishin nga Beogradi ku edhe më 1945 është printuar seria e re e frangut shqiptar. Por zëvendësimi i bankënotave të vjetra me të reja në treg efektivisht është bërë realitet vetëm në korrik të vitit 1946. Presidiumi i Kuvendit Popullor më 11 korrik 1946 ka shpallur ligjin “Mbi shkëmbimin e bankënotave dhe çek-monedhave të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë dhe syrsharzhuar nga Banka e Shtetit si dhe të çek-monedhave të emetuara nga Banka e Shtetit Shqiptar”. Bankënotat e ish-Bankës Kombëtare që janë shkëmbyer kanë qenë me prerje 20 dhe 100 franga ndërsa çek-monedhat me prerje 20-100-200-500-1000-2000 dhe 5000 franga. Monedhat metalike me vlerë nga 0,10 deri në 5 franga u lanë në qarkullim përkohësisht. Komunistët nuk do ta humbnin këtë rast për të çuar deri në fund grabitjen e vlerave monetare. Në bazë të ligjit të mësipërm ata kanë përcaktuar disa kritere për shkëmbimin e kartëmonedhave të vjetra me të rejat. Kështu raporti i shkëmbimit i parave të vjetra me të rejat u caktua 5 me 1 franga. Në bazë të këtij raporti janë zvogëluar edhe çmimet e mallrave e shërbimeve publike e private, qiratë, rrogat, debitë, kreditë etj. Por grabitja zyrtarizohej me kriterin tjetër që paratë e vjetra qofshin ata në qarkullim apo edhe depozitë në forma të ndryshme pranë Bankës së Shtetit Shqiptar mund të shkëmbeheshin me të reja deri në vlerën 5000 franga për familje. Mbi atë kufi çdo vlerë tjetër monetare bllokohej në llogari të caktuara në Bankën e Shtetit. E gjitha kjo do të zhvillohej si në rastin e vulosjes së kartëmonedhave të vjetra në vetëm 2 javë. Ligji përcaktonte se të gjithë paratë e vjetra që nuk shkëmbeheshin deri më 24 korrik 1946 nuk kishin më vlerë. Dhe ashtu ndodhi. Norma kufizuese prej 5000 frangash bëri grabitjen e fundit dhe të gjithë paratë që dolën prej saj shkuan në formimin e një fondi special që u quajt “depozita për vepra rindërtimi”. Operacioni ishte përmbyllur, gjithçka vinte më pas do të ishte shumë më e lehtë. Më 1947 po në Beograd printohet leku i ri që planifikonte të zëvendësonte përfundimisht frangun. Por ai nuk u hodh në qarkullim më 1948 pasi marrëdhëniet me Jugosllavinë morën atë drejtim që nuk ishte parashikuar. Më 1949 printohet leku i ri kësaj radhe në Bashkimin Sovjetik, seri e cila do të zëvendësohej përsëri në vitin 1957, përsëri me lekun e printuar në të njëjtin vend.
Prapaskena: Si e grabitën jugosllavët arin shqiptar
Komunistët jugosllavë kishin patur që në vitin 1941, kur krijuan PKSH-në, pushtet të plotë mbi sivëllezërit e vet shqiptarë. Kjo vijoi edhe në atë periudhë të zezë për ekonominë shqiptare. Pasoja e parë zyrtare qe unifikimi monetar që u bë me Jugosllavinë që në prill të vitit 1945. Ndërkohë brenda Shqipërisë ata frymëzuan një terror të paparë mbi të gjithë shkresën e pasur të vendit, grabitjen e arit dhe të të gjitha pasurive të tjera. Por në rastin e arit ata terrorin e shfrytëzuan edhe për përfitim direkt. Siç dihet, në Kosovë që në vitin 1941 kishte hyrë në qarkullim frangu shqiptar. Sipas rregullave që vendosi qeveria jugosllave për unifikimin monetar, kursi i shkëmbimit të frangut shqiptar me dinarin e ri u caktua në mënyrë të njëanshme në një nivel shumë më të ulët se sa ishte kursi real në raport me arin. Kështu u caktua që kursi i këmbimit të ishte 1 frangë me 2,5 dinarë ose e thënë ndryshe 1 dinar këmbehej me 0,40 të frangut shqiptar. Por në atë kohë një napolon ar në Kosovë këmbehej në tregun e lirë me 3000 dinarë të rinj. Sipas kursit zyrtar të këmbimit që vendosi qeveria jugosllave 0,40 franga me 1 dinar i përgjigjej një shume prej 1.200 franga shqiptare (3.000 x 0,40). Ndërkohë në tregun shqiptar deri në fund të prillit 1945 një napolon ar shkëmbehej vetëm me 600 franga. Pra, bazuar mbi një llogari të thjeshtë të kurseve të këmbimit valutor, rezulton që raporti i frangut me dinarin, në mënyrë të njëanshme është caktuar nga qeveria jugosllave në masën 50% më e ulët nga çka qenë vlera e tij e vërtetë. Kjo pabarazi flagrante bëri që depozituesit e frangave shqiptare në Kosovë e Jugosllavi të ishin të interesuar që t’i shkëmbenin ato me ar në Shqipëri dhe jo me dinarë të rinj në Jugosllavi, duke siguruar kështu, nga diferenca midis kursit zyrtar dhe kursit real të këmbimit, një përfitim të dyfishtë. Për pasojë kanalet e qarkullimit monetar në Shqipëri u mbushën me kartëmonedha të importuara nga Jugosllavia duke shkaktuar zhvlerësim të monedhës dhe nga ana tjetër ari shqiptar po ikte masivisht në Jugosllavi. Aq e dukshme ishte kjo saqë këtë nuk e mohonin as vetë jugosllavët. Kjo situatë në kushte terrori ka vijuar për muaj me radhë, ndonëse askush nuk mund të dinte në atë kohë se sa qe sasia e arit të grabitur në këtë mënyrë. /Revista Mapo/