Ajo që dukej si vatër e vogël zjarri e nisur paraditen e sotme në malin e Llogarasë, ka marrë përmasa të mëdha. Bëhet e ditur se shërbimet zjarrfikëse të Vlorës dhe Himarës janë njoftuar, por deri pasdite vone nuk ka patur asnjë ndërhyrje, ndoshta edhe prej terrenit të thepisur, raporton TCH. Ndërkohë që vatra e zjarrit sa vjen e po zgjerohet në sipërfaqe edhe më të mëdha.
Raportohet gjithashtu se një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në masivin pyjor të Babjes në zonën e Librazhdit. Banorë të zonës me mjete rrethanore dhe forca zjarrfikëse janë angazhuar në një betejë me flakët për vënien e tyre nën kontroll dhe shmangien e dëmeve të mëtejshme.
Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra thotë se situata mbetet mjaft problematike për shkak të terrenit të vështirë. Ai thotë se vetëm ndërhyrja nga ajri mund të shmangë përmasat katastrofike të dëmit.
Ndërkohë TCH, ka raportuar se tre vatra zjarri në afërsi të njëra-tjetrës kanë rrezikuar të përfshijnë Parkun e qytetit të Korçës pasditen e së dielës. Flakët e shumta kanë rrezikuar kurorën e gjelbër të parkut rinia, por fatmirësisht sinjalizimi dhe ndërhyrja në kohë kanë bërë të mundur që zjarri të neutralizohet.
Forcat zjarrfikëse janë lajmëruar menjëherë sapo është vënë re vatra e parë e zjarrit dhe bashkëpunim me forcat e policisë është bërë e mundur shmangia e një tragjedie të vërtetë për Korçën. Flakët kanë shkrumbuar bimësinë e ulët, duke rrezikuar edhe pemët por ndonëse terren ka qenë i vështirë për depërtimin e mjeteve zjarrfikëse, gjithçka është lokalizuar shumë shpejt.
Policia e ndodhur në vendngjarje ka bërë me dije se dyshohet paraprakisht për zjarrvënie të qëllimshme. Janë shoqëruar për këtë ngjarje disa persona në komisariatin e Korçës, ndërsa po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.