“Derisa të jetë trajner Xhani De Biazi, unë nuk kthehem më në Kombëtaren shqiptare të futbollit”. Këto janë fjalët e Taulant Xhakës, mesfushorit i cili pati një përplasje me ish-teknikun e kuqezinjve pas ndeshjes kundër Italisë kur braktisi grumbullimin e Kombëtares.
De Biazi nga ana tjetër nuk denjoi t’i bënte ftesë futbollistit për ndeshjen me Izraelin, duke theksuar se sa kohë të ishte ai, mesfushori mund të vazhdonte të qëndronte larg Kombëtares pasi nuk do të kthehej aty pa kërkuar falje. Por De Biazi nuk është më trajner i kuqezinjve dhe pasardhësi i tij, Kristian Panuçi, ka udhëtuar sot drejt Bazelit për të rilidhur marrëdhëniet e mesfushorit me Kombëtaren.
Sipas asaj që raporton “SuperSport”, përgjigja e Xhakës ka qenë pozitive dhe ai është gati të kthehet kuqezi, pa pasur nevojë që t’i kërkojë falje askujt. Por kjo, është vetëm njëra anë e medaljes, pasi vizita e Panuçit në ndeshjen e sotme mes Bazelit dhe Lucernës i ka shërbyer trajnerit të Kombëtares për të mësuar se Xhaka mund të mos luajë më rregullisht në klubin e tij.
Trajneri i Bazelit, Rafael Viki, po përdor një skemë të re 3-5-2 për kampionët e Zvicrës dhe një nga emrat e sakrifikuar është ai i Xhakës, që duhet të ulet në stol. Për momentin, ai nuk është zgjedhje e parë në mesfushë dhe në Zvicër, mediat vendase e shohin atë si një “alternativë” ndaj titullarëve, edhe pse gjatë viteve të fundit ka qenë ndër lojtarët më të qëndrueshëm për Bazelin.
Ndryshe nga Kombëtarja, ku Xhaka ka ngritur zërin duke u përplasur me trajnerin pasi kërkon të luajë titullar, futbollisti nuk pritet të bëjë të njëjtën gjë në klubin e tij, duke pritur momentin për t’u kthyer në fushë dhe për të treguar se sa vlen.