Pronari i lokalit, ku ndodhi shpërthimi në Velipojë, u nda nga jeta mbrëmjen e së shtunës në Repartin e Djegieve në Tiranë.
55-vjeçari Zejnunaj ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë, së bashku me të birin 33-vjeçar, i cili vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën.
Më herët gjatë ditës së djeshme, Prokuroria nisi hetimet për ngjarjen, duke hetuar edhe pronarin, ndaj të cilit ishte ngritur padi nga Inspektoriati Teknik.
Nga shpërthimi mbetën të plagosur edhe disa persona të tjerë, ndërsa shumë pushuesve iu rrezikua jeta.
Sipas verifikimeve të para të Policisë dhe Prokurorisë, mësohet se çisterna e gazit me 1.000 litra ishte vendosur poshtë lokalit, në një bodrum, jashtë kushteve teknike e pa lejet përkatëse.
Grupi hetimor bën të ditur se rrjedhja e gazit ka ardhur nga çisterna, e cila ka provokuar më pas shpërthimin dhe përhapjen e flakëve, ndërsa bombolat në lokal nuk kanë shpërthyer.