Fushata aktuale e iniciuar nga ana e kryeministrit Edi Rama për dëgjimin e problematikës lidhur me nëpunësit e shtetit duket se nuk ka thjesht vlera populiste.
Administrata publike në të gjithë rrjetin kapilar të shtetit, në qendër e në bazë, vazhdon të shfaqë mangësi të theksuara në performancë, por edhe vijon të kryejë shkelje të natyrës financiare, që vlerësohen me një dëm në masën 590 milionë euro.
Kjo shifër gjigande është konstatuar nga raportet e auditimeve, të kryera vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të vitit nga grupet audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Sipas raportit të tremujorit të dytë të veprimtarisë së këtij institucioni, të publikuar këto ditë, janë konstatuar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 1.9 miliardë lekë, afërsisht 14.4 milionë euro.
Po kështu, janë zbuluar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 76.4 miliardë lekë të reja, afërsisht 576 milionë euro, nga e cila: 564 milionë euro në fushën e të ardhurave dhe 11.5 milionë euro në fushën e shpenzimeve.
Sipas natyrës së abuzimit dhe institucionit publik që i ka kryer, KLSH ka pasqyruar hollësisht raste konkrete të shoqëruara me vlerën e dëmit ndaj arkës së shtetit.
Në Tatime e Dogana rezulton një dëm ekonomik prej afro 1.1 miliardë lekësh të reja. Parregullsi dhe shkelje të natyrës financiare vihen re që nga ministritë, agjencitë, drejtoritë e deri te pushteti vendor
Shkeljet dhe dëmi nga institucionet
Tatim – Taksat
Në këtë sektor dëmi llogaritet në vlerën e përgjithshme prej 245.824.000 lekësh, konstatuar në institucionet:
- Drejtoria Rajonale Tatimore Durrës, në vlerën 77.4 milionë lekë, për mosllogaritje të detyrimeve tatimore e mosaplikim penalitetesh
- Drejtoria Rajonale Tatimore Lezhë, në vlerën 63.6 milionë lekë nga të cilat 44 milionë lekë, si pasojë e mosllogaritjes së Tatim Fitimit dhe TVSH-së për 23 subjekte
- Bashkia Cërrik, në vlerën 36.3 milionë lekë, për mospagesë të taksave vendore
- Bashkia Himarë, në vlerën 35.7 milionë lekë, për mospagesë të taksave vendore
- Bashkia Tepelenë, në vlerën 14.2 milionë lekë, për mospagesë të taksave vendore
- Bashkia Sarandë, në vlerën 5.8 milionë lekë, për mospagesë të taksave vendore, etj.
Doganat
Dëmi këtu llogaritet në vlerën e përgjithshme prej 798.9 milionë lekë, konstatuar në institucionet:
- Dega e doganës Berat, në vlerën 108.6 milionë lekë nga të cilat 13.6 milionë lekë si pasojë e nxjerrjes së vendimeve administrative jo në përputhje me Kodin Doganor dhe Ligjin Për Tatimin mbi vlerën e shtuar; 56.6 milionë lekë, veprime të kryera jo në përputhje me rregullat bazë të Nomenklaturës së Harmonizuar të Mallrave në Republikën e Shqipërisë
- Dega e doganës Elbasan, në vlerën 42.2 milionë lekë, nga e cila 34 milionë lekë si pasojë e klasifikimeve tarifore jo në përputhje me rregullat bazë të Nomenklaturës së Harmonizuar të mallrave në Republikën e Shqipërisë, etj.
Prokurimet
Dëmi llogaritet në vlerën e përgjithshme prej 282.9 milionë lekë, konstatuar, sipas llojit të shkeljes si më poshtë:
Shkelje e procedurave të prokurimit
• Bashkia Sarandë 32.3 milionë lekë
• Bashkia Tepelenë 26.6 milionë lekë
• Bashkia Himarë 21.9 milionë lekë, etj
Shkelje procedurash në zbatimin e punimeve
• Bashkia Sarandë 56.5 milionë lekë
• Ujësjellës Kanalizime sh.a Lushnje 36 milionë lekë
• Bashkia Tepelenë 24.2 milionë lekë
• Ministria e Bujqësisë 22.8 milionë lekë, etj
Dhënia me qira e pasurisë shtetërore
Dëmi i shkaktuar llogaritet në shumën e përgjithshme prej 217.6 milionë lekësh konstatuar në institucionet:
- Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, në vlerën 15.5 milionë lekë, si pasojë e mosparashikimit nga ana e Autoritetit Kontraktor Royalty Fee (qira etj) për përdorimin e aseteve, pronësisë pasuri shtetërore, që duhet të paguante Koncesionari
- Ministria e Bujqësisë, në vlerën 13.5 milionë lekë, si pasojë e qerave të papaguara nga operatorët privatë
- Bashkia Gramsh, në vlerën 48.8 milionë lekë lekë, si pasojë e mospagesës së vlerës së qerasë për objektet e dhëna me qera
- Bashkia Sarandë, në vlerën 29.1 milionë lekë, si pasojë e mospagesës së vlerës së qerasë për objektet e dhëna me qera
- Bashkia Roskovec, në vlerën 30.6 milionë lekë, si pasojë e mospagesës së vlerës së qerasë truall për objektet e privatizuara, etj.
Shpenzimet operative
Në këtë drejtim llogariten shkelje dhe shpëedorime në shumën e përgjithshme prej 113.7 milionë lekë, konstatuar në institucionet:
• Bashkia Mat 13.3 milionë lekë
• Bashkia Gramsh 6.5 milionë lekë
• Bashkia Tepelenë 5.4 milionë lekë, etj.
Paga, shpërblime dhe sigurime shoqërore
Dëmi është në vlerën e përgjithshme prej 71.6 milionë lekë, konstatuar në institucionet:
- Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës, në vlerën 35.9 milionë lekë, nga e cila: 7.4 milionë lekë si pasojë e pagesave për 30 punonjës, të cilët kanë përfituar padrejtësisht paga për shkak të trajtimit të tyre si punonjës në “listë pritje”, etj.
Njësia e Lojërave të Fatit nuk ka arkëtuar 373 mln euro
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore rezulton me 79 milionë euro shkelje në fushën e hidrokarbureve
Me një dëm shumë herë më të madh se sa ai i shkaktuar nga shkeljet e zbuluara në të ardhura dhe shpenzime, sipas ekspertëve auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezultojnë shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 76.4 miliardë lekë, nga e cila 74.9 miliardë lekë në fushën e të ardhurave dhe 1.6 miliardë lekë në fushën e shpenzimeve konstatuar në institucionet.
Disiplina financiare
Shkelje konstatohen me shifra shumë të larta në institucione si më poshtë:
- Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit, në vlerën 50.3 miliardë lekë, si pasojë e mosushtrimit të kompetencave për kundravajtjet administrative për gjobat e pavendosura në kuadër të konfiskimeve të pajisjeve nga njësia e mbikëqyrjes financiare
- Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në vlerën 19.8 miliardë lekë, nga të cilat: 10.6 miliardë lekë janë shkelje të disiplinës financiare në fushën e Hidrokarbureve; 9.2 miliardë lekë janë të ardhura të munguara në fushën hidrike
- Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në vlerën 2.5 miliardë lekë, nuk janë argumentuar me vlerën e investimeve, treguesit ekonomiko-financiarë, burimet e financimit të investimeve si dhe çeljen e vendeve të reja të punës duke sjellë si pasojë përfitim të padrejtë nga 10 shoqëri.
- Ujësjellës Kanalizime sh.a., Tiranë, në vlerën 744.4 milionë lekë, si pasojë e akumulimit të borxheve për faturim të shërbimit nga ana e UKT për vitin 2016.
- Bashkia Patos, në vlerën 263.6 milionë lekë, si pasojë e mospagesës së taksës vendore, etj.
Shpenzimet
Dëmi i shkaktuar arkës së shtetit këtu llogaritet në vlerën 1.6 miliardë lekë.
- Bashkia Sarandë, në vlerën 539.8 milionë lekë, nga e cila 495 milionë lekë si pasojë e pagesave nga fondi i investimeve, të cilat kanë një impakt negativ financiar në buxhetin e baskisë
- Bashkia Himarë, në 399.8 milionë lekë, nga e cila 341.3 milionë lekë, si pasojë e pagesave nga fondi i investimeve, të cilat kanë një impakt negativ financiar në buxhetin e baskisë
- Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, projekti “Modernizimi i Asistencës Sociale”, në vlerën 224.4 milionë lekë, shpenzim joefektiv i huasë, etj.
Ujësjellësi
Sipas raportit gjashtëmujor të Kontrollit të Shtetit, Ujësjellës Kanalizime, Tiranë, ka akumuluar një sai prej 744.4 milionë lekë borxhesh për faturim të shërbimit nga ana e UKT për vitin 2016
Saranda
Shkelje me impakt në performancë janë konstatuar tek Bashkia Sarandë, në vlerën 539.8 milionë lekë, nga e cila 495 mln si pasojë e pagesave nga fondi i investimeve, me impakt negativ në buxhetin e Bashkisë.
Lumë abuzimesh, por vetëm 22 kallëzime penale
17 janë në hetim nga Prokuroria; 8 kallëzime të pushuara u ankimuan në Gjykatë
Gjatë gjashtëmujorit të parë, nga ana e KLSH-së janë bërë 22 kallëzime penale, për drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë, e konkretisht në këto institucione:
- Bashkia Sarandë (Drejtor juridik në cilësinë e anëtarit të KVO, Drejtor ekonomik dhe ish-drejtor i shërbimeve publike, në cilësinë e anëtarëve të KVO)
- Bashkia Sarandë (Kryetar Bashkie, Ish-Drejtor i Shërbimeve Publike, dy Mbikëqyrës punimesh)
- Bashkia Tepelenë (Ish-Kryetar Komune)
- Bashkia Tepelenë (Hartuesi i Projektit të Investimeve);
- Bashkia Himarë (Kryetar Bashkie, Drejtor i Planifikimit, Zhvillimit dhe Kontrollit të Territorit)
- Bashkia Himarë (Kryetar Bashkie, Inspektor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, Inspektor në Drejtorinë e të Ardhurave, Përgjegjëse e Financës, Përgjegjës i zyrës juridike, Ish Përgjegjës i Financës, Specialist i Lartë i Ndërtimit, Specialist i Topografisë, Specialist në Drejtorinë e Shërbimeve, Specialist Prokurimesh, Drejtor i Shërbimeve dhe Mirëmbajtjes)
- Prefektura Qarku Lezhë (Ish-Drejtor i Komisonit Vendor, Drejtor i Komisonit Vendor, Ish-Specialist Komisonit Vendor, Ish-Specialist Komisonit Vendor)
- Bashkia Fier (ish-Përgjegjës i zyrës së AMT (KVO), Specialist Finance (KVO), Anëtarë (KVO))
- Bashkia Ura Vajgurore (Mbikëqyrëse punimesh)
- Bashkia Roskovec (Drejtor Juridik, Ish-Përgjegjëse e Sektorit të Financës, Ish-Specialist, Topograf, Ish–Përgjegjës Sektori të ndërtimeve, Drejtor Ekonomik, Ish-Drejtor Planifikimi dhe Zhvillimit të Territorit, Drejtor Shërbimesh)
- ALUIZNI Lezhë (Ish-Drejtor, Ish Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë dhe Çështjeve të Pronësisë, ish Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë dhe Çështjeve të Pronësisë, dy Specialistë)
- ZVRPP Lezhë (Ish-Regjistrues, dy Specialistë Arkivistë, dy Specialistë Juristë, dy Specialistë Hartografë, dy ish Specialistë Juristë);
- ZVRPP Librazhd (Dy ish-Specialistë Juristë, dy ish-Regjistrues);
- ALUIZNI Korçë (Ish-Drejtor, Ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë dhe Çështjeve të Pronësisë, Ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit)
- ZVRPP Korçë (Ish-Regjistrues, Specialist, Ish-Regjistrues, Ish-Regjistrues, Ish-Specialist, Specialist)
- Ujësjellës Kanalizime sh.a Lushnje (Administrator i shoqërisë)
- Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë (Drejtori i Spitalit)
Nga 22 kallëzimet penale, 17 janë në hetim nga degët e prokurorive në rrethe; 5 indicie i janë përcjellë prokurorisë për vlerësim. 8 kallëzime të pushuara janë ankimuar në Gjykatë./Shqiptarja