Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet pas pak minutash, për të ndryshuar çmimin e ujit, për të cilin është propozuar nga Bashkia një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3. Pas dëgjesës ditën e djeshme në Këshillin Bashkia, LSI, u shpreh se do të votojë pro rritjes së çmimit vetëm në rast se plotësohen kushtet e ngritura nga ata.
LSI kërkon përjashtimin nga rritja e çmimit të familjeve me ndihmë ekonomike dhe pensionistët, diferencimin e biznesit si dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme.
Pak minuta para mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se pranon tre propozimet e LSI.
“Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24h. Bashkia do t’i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e LSI. PS-LSI, Tirana me ujë më e rëndësishme se partitë”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj.
Pas deklaratës së Veliajt, reagoi kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Leonard Olli i cili akuzoi LSI-në për akt pabesie, ndërsa shtoi se dy forcat politike po bëjnë pazar me njëra-tjetrën.
Zhvillimet nga mbledhja e Këshillit Bashkiak
Ora 18:50 Këshilltarët e LSI mungojnë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak
Ora 18:45 Nis mbledhja e Këshilit Bashkiak, largohet PD
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës janë larguar menjëherë pas nisjes së mbledhjes.
Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Leonard Olli tha se rritja e çmimit të ujit është aferë korruptive dhe për këtë arsye PD nuk mund të qëndrojë në Këshillin Bashkiak.
Ora 18:20 Erjona Bixha e LSI: Veliaj të tregojë seriozitet
Anëtarja e LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erjon Bixha u shpreh se LSI është pjesë e shqetësimit qytetar për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Ajo tha se LSI pret seriozitet nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Presim seriozitet nga Bashkia, jemi pjesë e shqetësimit qytetar”, u shpreh ajo.
Ora 18:10 Nis protesta kundër rritjes së çmimit të ujit
Përfaqësues të Shoqërisë civile, kanë filluar një protestë kundër rritjes së çmimit të ujit nga Bashkia e Tiranës. Ata kërkojë kthimin e projektvendimit për rishqyrtim pasi një vendimmarrje e tillë cenon rëndë buxhetin e familjeve.
Ora 18:05 Mbledhja e Këshillit Bashkiak ende nuk ka nisur
Mbledhja e Këshillit Bashkiak ishte njoftuar për të nisur në orën 18:00. Nuk bëhet e ditur arsyeja e vonesës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak ku do të shqyrtohet propozimi i Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit të ujit me 44%, nga 45 lekë për m3 në 65 lekë/m3.
Ora 18:00 Olli: LSI, akt pabesie ndaj qytetarëve
Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë në këshillin bashkiak të Tiranës, Leonard Olli u shpreh se LSI bëri një akt pabesie ndaj qytetarëve të Tiranës.
Reagimi i Ollit erdhi pas deklaratës së Veliajt se pranon kërkesat e LSI për përjashtimin nga rritja e çmimit të ujit disa kategori si familjet me ndihmë ekonomike, pensionistët dhe diferencimin e biznesnit.
“I kërkuam LSI bojkot, por ajo pranoi ‘pazarin’. U provua kush është opozita e vërtetë. Po diskutohen pazaret e fundit PS- LSI
LSI bëri një akt pabesie ndaj qytetarëve dhe ndaj nesh”, u shpreh Olli.
Partia Demokratike ka deklaruar votën kundër projektvendimit për rritjen e çmimit të ujit.
Ora 17:55 Pritet të nisë mbledhja e Këshillit Bashkiak
Ora 17:30 Veliaj: Pranoj kërkesat e LSI, kemi votat
Pak minuta para mbledhjes së Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar se pranon tre propozimet e LSI.
“Kemi votat për ta bërë Tiranën me ujë 24h.
Bashkia do t’i përcjellë ERU plan biznesin me gjithë propozimet e LSI.
PS-LSI, Tirana me ujë më e rëndësishme se partitë”, ka thënë kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ora 17: 20 Këshilltarët e PDIU pro rritjes së çmimit të ujit
PDIU ka dalë sot në një deklaratë për mediat me Vjollca Brahon, ku shprehet në favor të rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në Tiranë me qëllim shtimin e investimeve për rrjetin e ujësjellësve.
Mirëpo, ajo ka bërë të ditura edhe kushtet mbi bazën e të cilave do të votojë për rritjen e çmimit.
DEKLARATA E VJOLLCA BRAHOS
PDIU shprehet dakort per rritjen e cmimit te ujit per te shtuar investimet e nevojshme ne rrjetin e ujsjellsit te Tiranes per te bere te mundur:
1- Rritjen e kohes se furnizimit te popullsise me uje per 24 ore;
2- Permiresimin e cilesise se sherbimit te ofruar nga Ujsjellesi;
3- uljen e humbjeve te ujit dhe kostove te prodhimit te tij.
Por PDIU eshte per perjashtimin nga rritja e cmimit te ujit per : a)kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
b) familjet, që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
c)kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
ç) familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;
d) të verbrit;
dh) personat paraplegjikë e tetraplegjikë.
e) grate e veja kryefamiljare.
Veliaj: 170 mln euro që Tirana të ketë 24 orë ujë
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka thënë se do të investohen 170 mln euro në sistemin e trasmetimit dhe shpërndarjes që qytetarët e Tiranës të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
Në dëgjesën e zhvilluar gjatë pasdites së të martës në sallën e Këshillit Bashkiak me një grup këshilltarësh të PS dhe LSI, ku argumentoi dhe shpjegoi propozimin për çmimin e ri të ujit, Veliaj tha se e vetmja mundësi për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës ujë të pijshëm 24 orë është rregullimi i çmimit.
Ai theksoi se megjithëse në këto dy vite ka patur dyfishim të orarit të furnizimit me ujë, është e nevojshme që të kryhen investime madhore për të bërë të mundur që Tirana të ketë ujë pa ndërprerje.
Familjet paguajnë 13 herë më shumë se ndërmarrjet e ujit
Bashkia e Tiranës po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do t’i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e sotme. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.
Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Ne relacionin e bashkisë theksohet se shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018.
Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura.
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit.
Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.
VKM e shtatorit 2016 caktonte çmimin 5 lekë për metër kub si tarifë për ndërmarjet që tregtojnë ujin
Nderkohe ka një Vendim të Këshillit të Ministrave, që rregullon pagesat nga bizneset, të cilat merren me shfrytëzimin për qëllime fitimi (tregu) të ujërave nëntokësore dhe mbitokësore.
VKM-ja përcakton tarifat që duhet t’i paguajnë, për çdo metër kub të shfrytëzuar, ndërmarrjet e sektorit në fjalë shtetit, që është pronar me Kushtetutë i pasurive natyrore.
VKM-ja e fundit është mjaft e freskët, ajo i përket qeverisë aktuale dhe tarifat e përcaktuara mbajnë datën 21 shtator 2016, fiks 10 muaj më parë. Të bëjnë përshtypje dy gjëra në këtë VKM.
Aty tarifat përcaktohen në vetëm dy grupe: tokësorë dhe nëntokësorë. Pra, asnjë tarifim plus për ndonjë burim me aftësi të veçanta minerale nuk duket në këtë Vendim.
Besojmë se asnjë vend i botës nuk do ta bënte një tarifim kaq bujar.
Të vijmë tek çështja e dytë, që ka lidhje edhe me problemin, i cili diskutohet sot në tarifimin në Tiranë.
Siç duket në tabelën shoqëruese të Vendimit të Këshillit të Ministrave 662, qeveria Rama ka vendosur që njësitë tregtare të prodhimit të ujit mineral dhe natyral të ambalazhuar, destinuar për pirje, të paguajnë në shtet 5 lekë për një metër kub ujë të shfrytëzuar, në rast se uji merret në sipërfaqe të tokës dhe 12.3 lekë për metër kub në rast se fjala është për ujë burimi.
Natyrisht, Ujësjellësi i Tiranës ka të drejtë me ligj të caktojë vetë tarifat e përdorimit të ujit nga klientët e vet, kontrolluar kjo edhe nga Enti Rregullator përkatës. Por, me çmimin e propozuar së fundi, prej 65 lekësh për një metër kub, tarifa për familjarët bëhet 13 herë më e lartë se ajo çka paguan një ndërmarrje e tregtimit të ujit mineral, që e merr dhe e shet më pas ujin në shishe e bidonë.
Po flasim këtu për shfrytëzimin e ujit sipërfaqësor, pasi shumica absolute e familjeve të Tiranës përdor ujin e Bovillës, që furnizohet nga një rezervuar dhe jo ujë burimi. Madje, që nuk paraqet cilësitë e duhura për t’u përdorur si ujë i pijshëm dhe tiranasit në masë preferojnë ta blejnë ujin në dyqan. Një diferencë e tillë tarifore nuk besojmë se ka një taban të besueshëm logjik…!
Enti Rregullator i Ujit në publikim të raportit vjetor 2016, vuri në dukje se kostot e punës zënë pjesën më të madhe në totalin e shpenzimeve të ndërmarrjeve. Përgjithësisht operatorët UK kanë numër të lartë .
Bashkia e Tiranës propozon rritje 100% të tarifës fikse
Bashkia e Tiranës propozon rritje 100% të tarifës fikse për ujin për të gjitha kategoritë e abonentëve si familjarë ashtu edhe biznese.
Propozim i Bashkisë për familjarët, tarifa fikse parashikohet të rritet nga 100 lekë në 200 lekë.
Tarifat mujore fikse për entet private nga 100 shkon në 200 lekë.
Propozimi i Bashkisë për klientët e veçantë, furra buke, si dhe institucionet buxhetore shkon gjithashtu në 200 lekë.
Rritet edhe tarifa e furnizimit me ujë
Bashkia e Tiranës propozon edhe rritje të tarifës së furnizimit me ujë.
Për familjarët Bashkia propozon të rritet nga 45 lekë në 65 lekë/m³, për entet private nga 135 lekë/m³ në 190/m³, për institucionet buxhetore në 170 lekë/m³, klientët e veçantë nga 170/m³ në 235 lekë/m³.